PE rezolutë “kundër” Francës: Brukseli duhet të mbajë premtimet

Parlamenti Europian me shumicë dërrmuese ka dënuar mos-hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Europarlamentarët kanë votuar një rezolutë, e cila kërkon ndryshimin e qëndrimit për këtë çështje. Ndërkaq, edhe grupi më i madh i Parlamentit Europian, PPE, ka bërë një postim në rrjetin social twitter, ku thotë se përgjegjësinë për dëmtimin e besueshmërisë së BE-së, duhet ta marrë përsipër Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Zërave kritikë ndaj mungesës së dakordësisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, i është shtuar edhe Parlamenti Europian. Deputetët në këtë institucion mjaft të rëndësishëm, kanë votuar me shumicë dërrmuese në favor të një mocioni i cili shpreh edhe njëherë mbështetje për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rezoluta ka marrë 412 vota pro, 136 kundër ndërsa 30 ligjvënës abstenuan. Mocioni që u votëbesua në mënyrë të qartë, kërkon reflektime përpara samitit të Zagrebit i cili do të mbahet në Maj të vitit të ardhshëm, ndërsa vlerësohen edhe njëherë përpjekjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ecurinë e reformave. Gjithashtu, sipas parlamentarëve të unionit, përmes mungesës së dakordësisë, BE-ja po lë hapësira për faktorë të tretë dhe mundësinë e destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në qasjen e tyre, dy vendet kanë bërë atë që i është kërkuar dhe mosmbajtja e premtimit ul besueshmërinë tek Brukseli.

Gjatë kohës që bëhej votimi, shumica e grupeve parlamentare kanë shprehur gjithashtu mbështetje. Partitë Popullore Europiane, në një postim në rrjetin social twitter, shkruan se bllokimi i negociatave ishte një gabim strategjik. Gjithashtu, grupi bën përgjegjës Macron mbi dëmtimin e besueshmërisë së BE-së. Në këto kushte, mbetet të shihet se si do reagojë Presidenti i Francës, përballë presionit të gjithanshëm që po bëhet ndaj tij nëpërmjet deklaratave.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të shpresojnë tashmë që vendet antare të dalin me një qëndrim unanim, i cili duhet të ndërtohet brenda pak muajve. Për të bllokuar sërish bisedimet, mjafton vetëm një votë kundër e cilitdo prej shteteve të BE-së./Ora News