Pekini hodhi poshtë ato që i cilësoi si “veprime” të NATO-s për paraqitjen e Kinës si kërcënim në Arktik, transmeton Anadolu.
“Arktiku lidhet me interesat e përgjithshme të komunitetit ndërkombëtar. Aktivitetet e Kinës në Arktik synojnë promovimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon dhe janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, për gazetarët në Pekin.
Mao tha se të drejtat dhe liritë e vendeve për të zhvilluar aktivitete në Arktik në përputhje me ligjin “duhet të respektohen plotësisht”.
Deklarata e Pekinit erdhi pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të hënën tha se vendet aleate po diskutojnë “hapat e ardhshëm” për të garantuar sigurinë në Arktik, duke përmendur rrezikun që Rusia dhe Kina të jenë “më aktive” në këtë rajon me rëndësi strategjike.
“Tashmë, Kina pothuajse është bërë një lloj vendi i Arktikut, jo gjeografikisht, por të paktën për nga sasia e madhe e aktiviteteve dhe interesit të saj në rajon”, u tha Rutte gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për media në Zagreb me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.
Megjithatë, Mao kundërshtoi paraqitjen e Kinës si kërcënim.
“Kina kundërshton fuqimisht veprimet që e paraqesin Kinën si kërcënim, që nxisin tensionet dhe krijojnë ndarje në Arktik”, tha ajo.



