Pensionistët e vdekur marrin ende pensione nga shteti

115 mijë euro të buxhetit të shtetit kanë shkuar në llogaritë e njerëzve që kanë vdekur. Ndonëse me ligj pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka përfillur procedurat ligjore.

Kjo gjetje është bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2016, pensionet e paguara pas vdekjes së përfituesve kanë arritur shumën prej 115 mijë eurosh, shkruan Indeksonline.

Madje ka pasur raste kur pensionet janë paguar deri 12 muaj pas vdekjes së përfituesve.

‘’Sipas Ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve. Nga krahasimi i të dhënëve ndërmjet MPMS dhe ARC-së, kemi konstatuar se gjatë vitit 2016, pensionet e paguara pas vdekjes së përfitueseve, arrin vlerën 115,006€. Vlen të theksohet se kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 12 muaj pas vdekjes së përfitueseve’’, bëhet e ditur në gjetjet që auditori ka bërë në MPMS.

Një shkelje të tillë auditori e kishte gjetur edhe vitin e kaluar, ndonëse shuma ishte më e madhe në krahasim me vitin 2015. Në vitin 2015, pagesat për pensionet e paguara pas vdekjes kishin arritur në 801 mijë e 723 euro.

‘’Megjithatë, ekziston një përmirësim i dukshëm në menaxhimin e skemave pensionale në raport me vitin e kaluar (në vitin 2015, pagesat për pensionet e paguara pas vdekjes ishin 801,723)’’, thotë auditori.

Ndërkohë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte nxjerrë një udhëzim administrativ i cili obligonte gjithë pensionistët të lajmërohen në departamentet përkatëse për të vërtetuar se janë ende gjallë. Në rast se nuk lajmëroheshin pensionet duhej të ndaleshin. Edhe nëse ishin gjallë. Mirëpo, një rregull i tillë nuk po shihet të jetë respektuar në këtë rast.

Auditori alarmon se mbajtja e personave të vdekur në listat e pagesave të pensioneve, rezulton me pagesa të parregullta e me dëmtim të buxhetit.