Pentagoni ka përgatitur plane për operacione tokësore që mund të zgjasin për javë në Iran, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqyrtojnë hapat e ardhshëm në konflikt, raportoi The Washington Post.
Sipas zyrtarëve, planet parashikojnë operacione të kufizuara dhe jo një pushtim të plotë, duke përfshirë sulme nga forcat speciale dhe njësi të këmbësorisë.
Ata paralajmërojnë se kjo mund të shënojë “një fazë të re të luftës”, potencialisht më e rrezikshme për trupat amerikane, të cilat mund të përballen me sulme me dronë, raketa dhe mjete shpërthyese në terren.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se përgatitja e planeve nuk do të thotë se është marrë një vendim përfundimtar nga presidenti Donald Trump.
Diskutimet kanë përfshirë objektiva të mundshme si ishulli Kharg, një qendër kyçe për eksportin e naftës iraniane, si dhe operacione pranë Ngushticës së Hormuzit për të mbrojtur lundrimin detar.
Ndërkohë, Marco Rubio ka deklaruar se konflikti nuk pritet të jetë i zgjatur dhe mund të arrihen objektivat edhe pa ndërhyrje tokësore.
Sipas zyrtarëve, 13 ushtarë amerikanë janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në sulme në rajon që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit në fund të shkurtit.
Tensionet mbeten të larta, pasi Irani ka reaguar me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera në rajon, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë. /mesazhi





