Pentagoni: Ukraina është furnizuar me aeroplanë luftarakë nga aleatët

John Kirby

Ukraina është furnizuar nga aleatët me aeroplanë shtesë ushtarakë dhe po ashtu me pjesë të aeroplanëve, ka njoftuar Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së të martën.

“Kanë pranuar aeroplanë shtesë e po ashtu pjesë të aeroplanëve për të ndihmuar ata që të kenë më tepër aeroplanë luftarakë në ajër”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, në konferencë për media.

Ai ka shtuar se Washintoni nuk i ka ofruar Ukrainë aeroplanë ushtarakë.

Më herët të martën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka mbajtur një videokonferencë me liderët perëndimorë për të rritur përkrahjen ushtarake për Ukrainën. Perëndimi ka premtuar të dërgojë më tepër armë për të ndihmuar Ukrainën që ta mbrojë veten kundër një ofensive të re ruse në lindje të vendit. /koha