Të cilët para se të votojnë, duhet të lexojnë, në mënyrë që të kuptojnë se çfarë po miratojnë, sepse nuk duhet të votohet diçka që nuk kuptohet, në të kundërten do të prodhohet absurditeti në letër e në vepër!
Marrë parasysh debatin lidhur me (mos)lejimin e martesës ndërmjet gjinive të njejta në shtetin tonë, para se të rreshtohemi për të përkrahur apo kundërshtuar dispozitën kontestuese të Projekt-Kodit Civil që i lejon martesat e tilla, duhet fillimisht të sigurohemi se po kuptojmë çfarë po kundërshtojmë dhe/ose përkrahim dhe pse!
Sa prej nesh e dimë kuptimin e akronimit “LGBTIQ”?
Ndonëse mund të dijmë se çfarë nënkuptojnë shprehjet “Lesbike” dhe “Gej”, shtrohet pyetja se sa kemi njohuri për kuptimin e shprehjeve “Biseksual”, “Transeksual” dhe “Interseksual”?
Këto shprehje (BTI) përdorën për t’iu referuar personave vijues:
(i) Biseksual – personat që tërhiqen si nga persona të seksit të tyre ashtu edhe nga persona të seksit të kundërt;
(ii) Transeksual – personat me identitete gjinore që ndryshojnë nga seksi me të cilin kanë lindur, pra kur personi lind mashkull por identifikohet si femër dhe e kundërta, me pretendimin se është i burgosur në trup të gabuar;
(iii) Interseksual – personat që kanë karakteristikat e jashtme dhe organet reproduktive edhe të mashkullit dhe të femrës njëkohësisht – të njohur si personat me dy gjini.
Fakt shtesë që intrigon është se së fundmi, literatura po e përmend edhe një inicial tjetër, inicialin “Q” për “Queer ose Questioning”, pra një “pyetës” apo person që hamendet për identitetin e tij/saj gjinor. 🤔
Përveç të lartpërmendurave, ndër të tjera, duhet të informohemi për kuptimin e shprehjeve “identitet gjinor”; “çrregullim i identitetit gjinor”; “shprehje gjinore”; “orientim seksual”; “homofobi”; “transfobi”; “bifobi”, dallimin ndërmjet “seksit” dhe “gjinisë”, etj.
Njëherit, është me rendësi të dijmë se cili drejtim apo cila fushë e studimit mund të na ofrojë njohje objektive për të gjitha këto.
Nga: Nora Huseinovic Veliu








