Entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, më 9 janar shënoi “ditën kombëtare”, një festë antikushtetuese, në një kohë të paralajmërimeve ndërkombëtare për rritjen e synimeve politike të liderit të entitetit, Millorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja.
Shtetet e Bashkuara bënë thirrje që autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit, ndërkaq Bashkimi Evropian paralajmëroi pasoja për ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.
Nëntë janari shënon ditën kur serbët e Bosnjës më 1992, të cilët e kundërshtuan pavarësinë e Bosnjës pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia, deklaruan shtetin e tyre të ndarë, duke nxitur një luftë ndëretnike e cila ua mori jetën më shumë se 100.000 njerëzve dhe u ndal vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në fund të vitit 1995.
Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja administrohet nga një Qeveri qendrore nën udhëheqjen e një federate boshnjake dhe kroate dhe një entiteti me shumicë serbe, i njohur si Republika Sërpska.
Në entitetin serb të Bosnjës, 9 janari shënohet si ditë kombëtare, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur atë festë antikushtetuese dy herë.
Kjo festë e ndaluar është shënuar në kryeqytetin e entitetit serb, Banjallukë, me marshime dhe paradë të policisë së armatosur. Në paradën e mbajtur u panë edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin, ndërkaq në të morën pjesë ehde anëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, klub i afërt me udhëheqësin rus.
Në këtë festë morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, ministrat e Qeverisë së Serbisë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, dhe patriarku e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë hapjes së festimeve, Dodik ia ndalu dekoratën më të lartë të entitetit serb kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar çmimin më të lartë të Republikës Sërpska. Është krenari e Republikës Sërpska që ta nderojë njeriun që na konsideron dhe respekton ne si realitet politik”, tha Dodik.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur vazhdimisht ta rrënojë autoritetin e Qeverisë qendrore të Bosnjës dhe të themelojë institucione paralele për t’i rritur kërcënimet e tij të kamotshme për ta ndarë vendin përherë.
Orban po ashtu është mik i ngushtë i Putinit dhe ka mosmarrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
SHBA: Autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit
Pas shënimit të 9 janarit, festës jokushtetuese në Republikën Sërpska, Shtetet e Bashkuara kërkuan hetim të këtyre ngjarjeve.
“Pritjet e SHBA-së janë që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ka ndodhur lidhur me festimin e Ditës së Republikës Sërpska më 9 janar”, u tha në deklaratë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se festa e 9 janarit është ilegale, duke paralajmëruar për pasoja të gjithë ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.
Për ta mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dy avionë luftarakë amerikanë, F-16, fluturuan mbi qiellin e këtij vendi më 8 janar.
Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq derisa sfidohen Marrëveshja për Paqe e Dejtonit dhe institucionet e Bosnjës, tha Ambasada amerikane në Sarajevë.
“Stërvitja ishte pjesë e përpjekjeve e forcave amerikane për të shkëmbyer taktika, teknika dhe procedura me Forcat Ajrore boshnjake, si dhe e dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, tha ajo më 8 janar.
Gjatë ceremonive për të shënuar këtë festë jokushtetuese në Republikës Sërpska, u panë edhe flamuj të Rusisë, Serbisë, si dhe simbole të tjera kombëtare. /rel
At the parade in Banja Luka (Bosnia and Herzegovina), the anthem of the Republic of Serbia resounded. Dodik greeted police officers with the words “POMOZ BOG, JUNACI.” The same salute in WWII was used by Chetniks who collaborated with the Nazis. pic.twitter.com/GA63ODVjsN
— Istraga.ba (@IstragaB) January 9, 2024