Përfaqësuesi i Palestinës në OKB: Izraeli po shënjestron edhe të ardhmen e popullit palestinez

Riyad Mansour

Përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës në Kombet e Bashkuara (OKB), Riyad Mansour tha se Izraeli nuk po shënjestron vetëm të shkuarën dhe të tashmen e popullit të Palestinës, por edhe të ardhmen e tij, transmeton Anadolu.

Duke folur në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Mansour tha se Izraeli nuk është mjaftuar vetëm me vrasjen e fëmijëve të popullit palestinez, por se ka shkaktuar trauma mbi të mbijetuarit dhe se u ka shkaktuar atyre dëme fizike të cilët do t’i mbartin për gjithë jetën.

Mansour theksoi se numri i fëmijëve të vrarë në Palestinë është tragjedi e padurueshme dhe se nuk duhet të harrohen 25 mijë fëmijët që kanë mbetur jetimë dhe dhjetëra mijëra të tjerë që janë plagosur dhe kanë humbur gjymtyrët e tyre.

Duke shpjeguar përjetimet e Dunya, një nga fëmijët e persekutuar në sulmet izraelite, Mansour tha se vajza 12 vjeçare humbi këmbën në sulmet ajrore izraelite, në të cilin kanë humbur jetën prindërit, motra dhe vëllezërit e saj.

“Dunya ishte shprehur se dëshironte të jetojë, të bëhej mjeke dhe të ndihmonte fëmijët, por ajo humbi jetën disa ditë më pas në sulmin që Izraeli kreu ndaj Departamentit të fëmijëve në spitalin Nasser”, tha Mansour.

“Palestinezët duan të jetojnë në qetësi në vendin e tyre. Izraeli nuk po shënjestron vetëm të shkuarën dhe të tashmen e popullit të Palestinës, por edhe të ardhmen e tij. Për këtë arsye ai po vret mjekët, inxhinierët, poetët, akademikët dhe artistët tanë. Për këtë arsye po shkatërron qytetet, universitetit dhe institutet tona kulturore”, tha Mansour.

“Populli ynë dëshiron të jetojnë në vendin e tij, dëshiron që fëmijët t’i rrisë në mënyrë të sigurt në vendin e tij”, tha Mansour i cili nënvizoi se nuk ka dëshirë më të thjeshtë dhe më të shenjtë se kjo.