Përfundon procesi i intervistimit të Ali Ahmetit

Ish-pjesëmarrësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njëherësh kreu i partisë politike nga Maqedonia e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përfunduar procesin e intervistimit në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), nga Prokurorët e Specializuar të Gjykatës Speciale për krime lufte, raporton Anadolu Agency (AA).

Ahmeti në korrik të këtij muaji paralajmëroi se Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar nga ai që ta marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, kërkesë ndaj së cilës Ahmeti kishte thënë se do të përgjigjej “pa hezitim”. 

Ish-pjesëtari i UÇK-së nuk ka dhënë detaje për procesin që përfundoi sot, ndërsa zgjati dy ditë me radhë, me nga mbi 6 orë në secilën ditë.

“Intervistimi im ka zgjatur dy ditë. Deri në përfundim të këtji procesi nuk mund të ndaj asnjë informacion me opinionin, kështu e përcakton ligji, dhe dua që ta respektoj ligjin. Në përfundim të këtij procesi atëherë flasim dhe na lejon ligji”, tha Ahmeti për media me të dalë nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Ftesa për Ali Ahmetin erdhi një javë pasi prokurorët e Hagës në Holandë përfunduan marrjen në pyetje katërditore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 qershor se ka një aktakuzë të pakonfirmuar që akuzon Thaçin, si dhe politikanin e lartë të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.