Një djalosh i ri nga Kina e pyeti Mustafanë që ishte nga Amerika: Përse ju myslimanët faleni pesë herë në ditë, a nuk do të mjaftonte të faleshit vetëm një herë?
Mustafai u përgjigj: Allahu e ka krijuar njeriun nga trupi dhe shpirti, dhe të dyja kanë nevojë për kujdes dhe pastërti. Ne marrim abdes pesë herë në ditë për të pastruar trupin dhe për ta ruajtur të pastër. Ndërsa për shpirtin, falemi pesë herë në ditë për ta pastruar dhe për ta ushqyer me paqe e lumturi.
Nga kjo përgjigje djaloshi kinez u mahnit dhe pranoi Islamin.
Mustafai është një i ri amerikan që e ka pranuar Islamin që në fëmijëri. Aktualisht ai ndodhet në Mekë, ku po përfundon doktoraturën. U ula me të për një bisedë të këndshme ku ndamë disa mendime, dhe e pyeta: “Çfarë të tërhoqi më shumë në Islam?” Ai më tha: Dy gjëra më lanë përshtypje të thellë:
1 – Kur isha i vogël, pashë në televizor pamje nga falja në Qaben e shenjtë. Më bëri shumë përshtypje qetësia dhe përulësia e mijëra njerëzve, të cilët qëndronin në radhë për t’u falur, pa zhurmë apo pa u ankuar, pavarësisht vapës e turmës së madhe.
2 – Ndjenja e përgjegjësisë që të jep Islami. Sapo u bëra mysliman, ndjeva se më takonte të përhapja të mirën që kisha zbuluar. Kjo më shtyu të studioja fenë, përfundova studimet në shkencat islame, bëra masterin dhe tani po e përfundoj doktoraturën, inshallah.
Mustafai është rreth 30 vjeç, i martuar dhe ka një vajzë që e ka quajtur Xhudi. Ai më tregoi:
“Kur isha në gjimnaz në NjuJork, isha i vetmi mysliman mes 500 nxënësve të krishterë, hebrenj apo jobesimtarë. Të shumta ishin talljet që mu adresuan për shkak të fesë time, por qëndrova me durim dhe urtësi, u përkushtova në mësime dhe u bëra nxënësi më i mirë në shkollë. Pas kësaj, ata filluan të më respektonin.”
Përgjigjja e tij për namazin më kujtoi një ngjarje me disa miq që u falën në rrugët e Londrës. Kalimtarët u mblodhën rreth tyre për t’i parë dhe për t’i filmuar, dhe pas përfundimit të namazit, biseduan me disa njerëz që ishin të interesuar, dhe një prej tyre pranoi Islamin pas asaj ndodhie.
Namazi është lidhja mes robit dhe Zotit të tij. Kush privohet nga namazi, është privuar nga shumë të mira. Kujtoj një bisedë mes një të riu të krishterë dhe një myslimani, ku i krishteri tha:
“Zoti na do më shumë neve dhe hebrenjtë sesa ju myslimanët.” Myslimani e pyeti: “Si e di këtë? I krishteri tha: “Sepse na e ka lehtësuar me namazin, ne falemi vetëm një herë në javë. Kjo tregon se Ai na do.” Myslimani i tha: “Le të ta jap një shembull që ta kuptosh më mirë: Nëse një gjyqtar vendos që një prind ta takojë fëmijën vetëm një herë në javë, por prindi kërkon ta takojë çdo ditë, a nuk është kjo shenjë dashurie më e madhe nga ana e prindit?” Ai u përgjigj: “Po, kjo tregon se e do shumë.” Myslimani i tha: “Ashtu edhe ne myslimanët, Zoti na do dhe ne e duam Atë, prandaj ne falemi çdo dit pesë herë në ditë, madje edhe më shumë, si në rastin e namazeve vullnetare.” Dhe kështu përfundoi biseda.
Autor: Xhasim Mutava
Përktheu: Elton Harxhi








