Përmbytje në Bangladesh, 119 të vdekur dhe miliona në rrezik nga uria dhe sëmundjet

Përmbytjet katastrofale që kanë goditur Bangladeshin deri tani kanë marrë jetën e së paku 119 personave ndërsa miliona njerëz përballen me rrezikun e urisë dhe sëmundjeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Federata ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) bënë të ditur se 7.6 milionë persona në këtë vend përballen me rrezikun e urisë dhe sëmundjeve të ndryshme.

Nga Departamenti për shërbime kombëtare bëhet e ditur se si pasojë e sëmundjeve dhe fatkeqësive të shkaktuara nga përmbytjet deri tani kanë vdekur së paku 119 persona.

Shirat e rrëmbyeshëm monsun kanë shkaktuar përmbytje katastrofale në Bangladesh ndërsa nga IFRC theksojnë se qindra mijëra banorë kanë mbetur të bllokuar në rajonet veriore dhe verilindore të vendit. Thuhet se nga përmbytjet janë shkatërruar 600 mijë shtëpi.

Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë në kushte të pashëndetshme, u mungon uji i pijshëm, ushqimi, kushtet adekuate për jetë. Si pasojë e situatës së pakënaqshme higjienike në rajonet në fjalë ekziston rreziku nga përhapja e sëmundjeve ngjitëse. Duke marrë parasysh se uji ka mbuluar rreth 160 mijë hektarë, tokë të punueshme, në masë të madhe është e pranishme edhe mungesa e përgjithshme e ushqimit.

Kryetari i Departamentit të IFRC-së në Bangladesh, Azmat Ulla deklaroi se këto ditë ka vizituar rajonin Bogura, i goditur rëndë nga përmbytjet. Ai tha se ka biseduar me familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre në përmbytje dhe momentalisht qëndrojnë në kampe të improvizuara. Siç tha ai, “me dëshpërim më shikonin në sy dhe thanë se u nevojitet ushqim dhe ujë”.

“Situata është shumë e rëndë, duke marrë parasysh se në ditët në vijim presim ende përmbytje”, tha Ulla.