Pesë tipare të veçanta të jetës së Muhamedit ﷺ – Halil Avdulli

Hoxhë Halil Avdulli

Një jetë transparente

• Për çdo ditë të jetës së tij dihen detaje: si hante, si flinte, si lutej, si sillej me familjen dhe shokët, madje është përshkruar edhe numri i fijeve të bardha në flokët dhe mjekrën e tij.

Krahasuar me figurat e tjera të mëdha të historisë dhe madje edhe me profetë të mëparshëm, kjo transparencë është unike.

Për filozofë, udhëheqës apo themelues të feve të tjera, kryesisht jeta e tyre private është plot boshllëqe,.

Kjo pasuri e fakteve e bën të mundur që çdo njeri të shohë qartë dhe pa dyshim një jetë të dokumentuar, të hapur ndaj studimit dhe mundesis se ndjekjes.

2. Njeri dhe Profet – Jo Mit dhe As Hyjni

Profeti ﷺ ishte njeri i zakonshëm që Zoti e zgjodhi për të sjellë mesazhin hyjnor. Ai vetë e theksonte shpesh: “Unë jam vetëm njeri si ju”.

• Ai nuk u rrethua me legjenda mitike, nuk kërkoi të adhurhej dhe nuk pretendoi fuqi mbinatyrore.

Muhamedi ﷺ mbeti në çdo aspekt i arritshëm si shembull njerëzor.

Kjo e bën jetën e tij një model praktik për çdo kohë e vend.

Njeriu nuk ka nevojë të besojë në mrekulli që nuk mund t’i provojë; ai sheh një jetë konkrete, reale, të suksesshme dhe të përulur.

3. Njeri shumë dimensional

Profeti ﷺ është figura e vetme në histori që përfshiu në mënyrë të përkryer të gjitha dimensionet e jetës:

• Rinia e ndershme: i njohur si el-Emin (Besniku), i drejtë dhe i besueshëm në tregti, duke fituar respekt edhe nga armiqtë.

• Thirrësi i palodhur: shpalli të vërtetën në një shoqëri që e kundërshtoi me ashpërsi, por ai u dallua për durim, mençuri dhe përkushtim.

• Bashkëshort dhe baba: i dashur, i drejtë, i përkujdesur; ai luajti rolin e një burri të përkryer që ndan përgjegjësitë me familjen.

• Mësues dhe edukator: i formoi shokët me frymë shpirtërore dhe disiplinë morale, duke i bërë udhëheqës të së ardhmes.

• Shok besnik: i përkushtuar ndaj miqësisë, duke respektuar të drejtat dhe ndjenjat e shokëve.

• Udhëheqës shteti: themeloi në Medinë një rend shoqëror të drejtë, ku ligji dhe barazia mbroheshin.

• Komandant ushtarak: strateg i mençur, i guximshëm dhe i drejtë, që luftonte vetëm për të mbrojtur të drejtën dhe për të siguruar paqen.

4. Të arriturat u realizuan në menyrë te natyrshme

Në vetëm 23 vite mision, Profeti ﷺ arriti të:

• bashkonte fiset arabe,

• rrëzonte idhujtarinë shekullore,

• ngrinte themelet e një shoqërie me ligj, drejtësi dhe solidaritet.

Këto arritje nuk bë me shkop maxhik por me mund, organizim, moral të lartë dhe vendosmëri.

Një sukses kaq i shpejtë, i qëndrueshëm dhe i bazuar në ndryshim shpirtëror e shoqëror, është dëshmi logjike se ai ishte i mbështetur nga Zoti.

5. Mrekullia e tij vazhdon të jetë prezente

Ndërsa profetët e tjerë u mbështetën te mrekulli të dukshme për të bindur popujt e tyre, Profeti Muhamed ﷺ solli një mrekulli intelektuale dhe të përjetshme: Kuranin.

• Kurani nuk është thjesht libër fetar, por një sfidë e hapur për mendjen: në stil, përmbajtje, parashikime, thellësi filozofike dhe harmoni mes shpirtit dhe ligjit.

• Çdo brez, në çdo kohë, mund ta lexojë dhe ta gjykojë vetë.

Kjo e bën besimin jo vetëm akt shpirtëror, por edhe vendim racional.

Përfundim

Jeta e Profetit Muhamed ﷺ është shkencërisht e besueshme,

njerëzisht e plotë dhe

logjikisht bindëse.

Ai nuk është vetëm udhëheqës fetar, por model universal për çdo njeri, në çdo kohë dhe në çdo fushë të jetës.

Kushdo që e studion me mendje të hapur do të shohë në të provën më të pastër të së vërtetës dhe shembullin më të lartë për të ndërtuar një jetë të drejtë, të lumtur dhe të suksesshme.

Hoxhë Halil Avdulli