Petkov: Vetoja do të hiqet vetëm nëse Maqedonia e Veriut plotëson 3 kushtet

Shkupi dhe Sofja të gjejnë zgjidhje për kontestin bilateral dhe të mbahet gjallë perspektiva evropiane e rajonit. Ky ishte mesazhi i kancelarit gjerman Olaf Sholc gjatë vizitës së tij në Sofje, ku arriti pasditen e djeshme menjëherë pas vizitës në Shkup në mëngjes. Pas takimit me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, Sholc tha se e kupton që çështjet historike mes shteteve fqinje janë të rënda për t’u zgjidhur, por kërkoi angazhim nga të dyja palët pasi të gjitha shtetet e BE-së mbajnë përgjegjësi për stabilitetin dhe ardhmërinë evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Vlerësoj se ka gjasa për përparim. Do ta vazhdojmë diskutimin dhe shkëmbimin mes nesh deri në fund të presidencës franceze dhe shpresoj se do të arrijmë përparim të madh. Unë jam i bindur se të gjithë ne evropianët, kemi përgjegjësi të madhe për BE-në dhe për stabilitetin e Ballkanit. Detyra jonë është që mos t’i thyejmë shpresat. Është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë procesin e zgjerimit të BE-së”

Por, kryeministri bullgar Kiril Petkov përsëriti edhe para kancelarit gjerman se vetoja do të hiqet vetëm nëse Maqedonia e Veriut plotëson 3 kushtet e kërkuara nga pala bullgare.

“U dakorduam që dy qeveritë të vazhdojnë me punë. Qeveria e Bullgarisë e tha qartë qëndrimin për kushtet që duhet të plotësohen që të kemi përparim. Në këtë fazë të bisedimeve, thamë se vetoja mund të hiqet vetëm nëse Shkupi jep garanca për zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe nëse e përfshinë pakicën bulglare në Kushtetutë si një nga popujt shtetformues”.

Qeveria bullgare aktualisht po përballet edhe me krizë politike, pasi një nga partitë e koalicionit qeveritar tha se do ta braktis qeverinë pikërisht për shkak të çështjes së Maqedonisë së Veriut. Bisedimet mes të dyja palëve tashmë do të varen edhe nga zhvillimi i krizës politike në Sofje. /shenja