Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pikëpyetjet mbi negociatat shtohen, Trump thotë se udhëheqësi iranian “duhet të jetë...

Pikëpyetjet mbi negociatat shtohen, Trump thotë se udhëheqësi iranian “duhet të jetë shumë i shqetësuar”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, “duhet të jetë shumë i shqetësuar”, teksa negociatat e planifikuara për këtë javë po bëhen gjithnjë e më të pasigurta, transmeton Anadolu.

“Ai duhet të jetë shumë i shqetësuar. Po, ai duhet të jetë. Sepse, siç e dini, ata po negociojnë me ne”, tha Trump në fragmente nga një intervistë për NBC Neës, e cila pritet të transmetohet më vonë gjatë ditës.

Komentet vijnë në një kohë kur Trump ka urdhëruar një grumbullim të vazhdueshëm masiv ushtarak në rajon, në përpjekje për të ushtruar presion ndaj Iranit që të ulet në tryezën e negociatave.

I pyetur për protestuesit iranianë, presidenti amerikan tha: “Ne i kemi mbështetur.”

“Ai vend është një rrëmujë tani për shkak nesh. Ne ndërhymë, e shkatërruam programin e tyre bërthamor. Paqe në Lindjen e Mesme. Nëse nuk do ta kishim shkatërruar programin e tyre bërthamor, mendoni për këtë: nuk do të kishte paqe në Lindjen e Mesme, sepse vendet arabe nuk do të kishin mundur ta bënin këtë. Ata kishin shumë, shumë frikë nga Irani”, shtoi ai.

Trump i referohej sulmeve që ai urdhëroi ndaj objekteve bërthamore të Iranit në muajin qershor.

Sot më herët, faqja e lajmeve Axios raportoi se SHBA-ja i ka thënë Iranit se nuk do të pranojë kërkesat e Teheranit për ndryshimin e vendndodhjes dhe formatit të bisedimeve të planifikuara për të premten.

“U thamë se është kjo ose asgjë dhe ata thanë: Në rregull, atëherë asgjë”, citoi faqja një zyrtar të lartë amerikan, i cili mbeti anonim.

Raportimi erdhi pasi mediat iraniane thanë se bisedimet indirekte mes Iranit dhe SHBA-së pritet të mbahen të premten në kryeqytetin Muscat të Omanit, me diskutimet që pritet të përqendrohen në programin bërthamor të Teheranit dhe heqjen e sanksioneve.

Stambolli ishte vendi i planifikuar për bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit.

– Turqi ose Oman

Sipas Axios, zyrtari tha se nëse iranianët janë të gatshëm të kthehen te formati fillestar, SHBA-ja është e gatshme të takohet këtë javë ose javën e ardhshme.

“Ne duam të arrijmë shpejt një marrëveshje reale ose njerëzit do të shohin opsione të tjera”, tha zyrtari i lartë.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendi për bisedimet me Iranin “ende është duke u përcaktuar” dhe se diskutimet duhet të trajtojnë raketat balistike të Teheranit, programin bërthamor, “mbështetjen rajonale të organizatave terroriste” dhe trajtimin e popullit të vet.

“Ne menduam se kishim një forum të përcaktuar që ishte rënë dakord në Turqi. Ai u organizua nga një numër partnerësh që donin të merrnin pjesë. Pashë raporte kontradiktore dje nga pala iraniane që thoshin se ata nuk kishin rënë dakord për këtë, ndaj kjo çështje është ende duke u shqyrtuar”, tha Rubio.

Omani më herët ka shërbyer si ndërmjetës në kontaktet indirekte mes dy palëve.

Ditët e fundit, disa vende kanë ndërhyrë dhe kanë ofruar ndërmjetësim mes Teheranit dhe Washingtonit për të ulur tensionet, me Turqinë që ka luajtur një rol veçanërisht aktiv.

SHBA-ja dhe aleati i saj Izraeli e akuzojnë Iranin se po synon të prodhojë armë bërthamore, ndërsa Teherani thotë se programi i tij bërthamor është i destinuar për qëllime paqësore, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike.