Pjanic: Koeman nuk më respektoi, erdha në Besiktas sepse dua të luaj futboll

Miralem Pjanic ka akuzuar ish-trajnerin Ronald Koeman sepse nuk e respektoi atë, duke e lënë në shumicën e kohës në bankën rezervë.

Përveç që e kishte lënë rezervë, holandezi as nuk kishte folur me Pjanic për arsyen e mos-aktivizimit të tij në skuadër.

“Koeman nuk më respektoi. Ai kurrë nuk po fliste me mua! Unë jam një lojtar që mund të pranoj gjithçka, por gjithmonë do të doja që të më shpjegohej dhe jo sikur të isha 15 vjeç. Unë pranova të ul rrogën time dhe të bashkohem me Besiktas sepse më pëlqen të luaj futboll”, u shpreh Pjanic.

Boshnjaku ka theksuar se ai është një trajner i çuditshëm dhe se nuk ka parë në karrierën e tij një menaxhim të tillë.

“Koeman nuk më ka respektuar. Unë do të kisha preferuar të më tregoheshin gjërat drejtpërdrejt, por kështu është. Ka qenë një mënyrë shumë e çuditshme e komunikimit. Ai më la mënjanë që në fillim. Ai është një trajner shumë i çuditshëm, është hera e parë që kam parë një menaxhim të tillë”, ka përfunduar boshnjaku.