Pjetër Ndrecaj dënohet me 24 vjet e gjashtë muaj burg për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

Gjykata Themelore në Gjakovë ka marrë vendim që ta dënoj me 24 vjet e gjysmë burg,  Pjetër Ndrecaj.

Ndrecaj u dënua me 24 vjet e gjysmë burg, pasi që u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018.

“I akuzuari Pjetër Ndrecaj është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej njëzet e katër (24) vjet e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 07 gusht 2018. I akuzuari është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej dyqind (200) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej dyqind (200) euro si dhe shumën prej pesëdhjete (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e vëllezërve të familjes së viktimës, ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij Valbona Ndrecaj, dhe vajzën e tij K.Ndrecaj

Dënimet me burgim të përjetshëm në Kosovë

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, ka njoftuar Gjykata Themelore.

Ky është vendimi i dytë i gjykatës në Gjakovë për këtë rast pasi një vendim i vitit të kaluar për burgim të përjetshëm ishte kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Në mars të 2019 Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Apeli kishte vlerësuar se gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese. Por aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme, e cila kishte kërkuar që procesi të kthehej nga fillimi.