Pjetër Ndrecaj i rritet dënimi në 30 vjet burgim, për vrasjen e gruas dhe vajzës

Gjykata e Apelit e Kosovës ia ka ashpërsuar dënimin me burgim të akuzuarit Pjetër Ndrecaj.

Kështu nga 24 vjet e 6 muaj sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Apeli të akuzuarin për veprën penale “Vrasje e rëndë” e ka dënuar më 30 vjet burgim.

“Deri të ngritja e dënimit erdhi, pasi që Gjykata e Apelit, konkludoi se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Pastaj se nuk i ka marr për bazë disa rrethana renduese, sidomos faktin se i pandehuri edhe më parë është sjellë në mënyrë të dhunshme me bashkëshorten, tani të ndjerën V.N., se veprën penale e ka kryer në shtëpinë e familjes së saj, në prezencë të anëtarëve të familjes, se ka privuar nga jeta edhe vajzën e tij si dhe një mori rrethanash tjera”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Apelit, në këtë rast ka zbatuar dispozitën e nenit 42 të KPRK-së, sipas të cilave parashihet që për veprat penale për të cilat është paraparë dënim jo më pak se 10 vjet, apo dënim me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptoj dënim me burgim deri në 35 vjet.

Ndrecaj fillimisht ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë në nëntor të vitit 2018 me 24 vjet burgim, ndërkohë që Apeli në mars të vitit 2019 ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Rasti shkoi në Gjykatën Supreme, e cila ktheu rastin në rigjykim.

Më pas, Themelorja në Gjakovë e shpalli për herë të dytë fajtor, duke e dënuar kësaj here me 24 vjet e gjysmë, 6 muaj më shumë se në herën e parë. Rasti u dërgua në Apel dhe sot vendosi për 30 vjet burgim.