Plot mallra serbe nëpër tregje – MTI e as Dogana nuk e dinë se si kanë hyrë në Kosovë

Pak mbi 7 milionë euro vlerë të mallrave serbe u importuan muajin e fundit në Kosovë. Të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importi nga Serbia shënonte vlerën e 87 milionë eurove, shkruan lajmi.net. Kjo, si rezultat i vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia e Bosnja. Megjithatë, rezultati i gjithë kësaj nuk ishte ai i prituri. Si përfundim, dita ditës po evidentohet sasi jo e zvogëluar e produkteve serbe në treg, ani pse importi ka shënuar rënie drastike. Por, nga po hyjnë të gjitha këto mallra serbe në Kosovë, si dhe a është rritur kontrabandimi i tyre nga Serbia? Si përgjigje tjetër ndaj kësaj pyetje, subjekte të ndryshme thonë se kompanitë importuese kanë qenë të furnizuara me stoqe, të cilat ende nuk janë shteruar. Blerim Nikqi, menaxher në kompaninë “Elkos”, pronar i së cilës është deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, për lajmi.net mohon se kjo kompani ka qenë në dijeni për vendimin e Qeverisë, para vendosjes së taksës. Thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka pasur aspak impakt në këtë kompani. “Kompania jone është distributor ekskluziv per Repuiblikën e Kosovës i mbi 70 brendeve më të mëdha botërore. Për sa i përket takses se vendosur nga Qeveria jone ndaj mallrave me origjinë nga Serbia nuk kemi qenë në dijeni deri në momentin e vendosjes”, thuhet në përgjigjen e Nikqit për lajmi.net. “Për neve ky vendim i Qeverisë nuk ka fare impakt në biznesin tonë, pasi që ne kryesisht furnizohemi nga vendet e BE-së, Turqia, dhe vendet tjera me te cilat kemi bashkepunim”, ka thënë tutje ai. E lajmi.net ka siguruar sasinë e stoqeve të produkteve serbe në kompaninë tjetër të madhe importuese, “Migros”. Të njëjtat, jo në sasi të madhe janë shitur në kohë rekord tek marketet nga kjo kompani.