Zëdhënësi i Shtabit Qendror të Khatam al-Anbiya të Iranit, komandës kryesore ushtarake të vendit, duke iu referuar SHBA-së si “superfuqia e vetëshpallur globale” , deklaroi se humbja e tyre nuk mund të paraqitet si një marrëveshje.
Ebrahim Zolfaghari tha në një videomesazh të publikuar nga mediat iraniane sot se “a ka arritur niveli i konfliktit tuaj të brendshëm në pikën ku po negocioni me veten tuaj?”
“Nuk do t’i shihni më as investimet tuaja në rajon dhe as çmimet e mëparshme të energjisë dhe naftës, derisa të kuptoni se stabiliteti në rajon garantohet nga dora e fuqishme e forcave tona të armatosura. Stabiliteti vjen përmes forcës”, tha Zolfaghari, citon BBC.
Ai shtoi se “dikush si ne nuk do të bjerë kurrë dakord me dikë si ju. As tani, as kurrë”.
Komentet e tij vinë pasi presidenti amerikan, Donald Trump insistoi të martën se administrata e tij po “fliste me njerëzit e duhur” në Iran dhe “ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje” .
Ai tha gjithashtu se zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio ishin të përfshirë në negociata. /teve1






