Polakët protestojnë në mbështetje të emigrantëve: Qeveria t’i ndihmojë

Dhjetëra persona u mblodhën në lindje të qytetit polak të Hajnovkas, në shenjë solidariteti për emigrantët e bllokuar në kufirin me Bjellorusinë.

Ata i kërkuan qeverisë që të lejojë organizatat joqeveritare t’i ndihmojnë emigrantët.

“Ajo që kërkojmë nga qeveria polake është të hapë një korridor, të lejojë organizatat humanitare dhe organizatat mjekësore të hyjnë në zonën e mbyllur”, tha Kaja Jasienko, avokate.
“Unë dua t’i ndihmoj këta njerëz, këta fëmijë. Duhet të bëjmë diçka, qoftë edhe me një protestë, duhet t’i tregojmë qeverisë, presidentit dhe kryeministrit se jemi këtu dhe se nuk biem dakord me atë që ata po bëjnë”, u shpreh Agnieszka Jusis, vullnetare nga Varshava.

Policia polake publikoi fotot e zonës përgjatë kufirit me Bjellorusinë, tërësisht e boshatisur nga kampet e emigrantëve.

Bjellorusia ka zhvendosur rreth 2 mijë refugjatë që po jetonin në acar në një kapanon.

Polonia e akuzon Minskun se po ndryshon taktikë dhe po drejton grupe më të vogla njerëzish në pika të shumta të kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian. /euronews