Polica kërkon ndihëm e qytetarëve për arrestimin e autorit të vrasjes në Novosellë të Pejës

Faton Brahimi, i cili dje ka vrarë djalin e axhës së tij, Bashkim Brahimaj, pas kryerjes së veprës është arratisur, për çfarë Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e tij. Policia thotë se personi në kërkim konsiderohet i rrezikshëm dhe të jetë i armatosur.

Policia e Kosovës, sot ka shpallur person në kërkim dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin Faton Brahimit, autorit të vrasjes së djeshme në Novosellë të Pejës, i cili në një konflikt për çështje pronësore ka vrarë djalin e axhës së tij, Bashkim Brahimaj.

Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit për vrasje dhe ka bërë përshkrimin e tij. Po ashtu, është publikuar një fotografi e armëve dhe municionit të konfiskuar nga policia gjatë bastisjes në shtëpinë e dorasit.

Policia thotë se personi në kërkim konsiderohet i rrezikshëm dhe të jetë i armatosur.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje lidhur me rastin e djeshëm dhe me armët që janë konfiskuar gjatë bastisjes në shtëpinë e dorasit.

Në raportin e Policisë thuhet së në Fshatin Novosellë të Pejës, më 24.04.2021, në orën 14:40 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka qëlluar me arme zjarri viktimën mashkull kosovar.

“Në vendin e ngjarës kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Gjate kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: një mitraloz, një pistolete, pajisje për pastrim te armës, 890 fishek të kalibrave të ndryshëm, dhe pesë predha po ashtu kalibra të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë, përcjell Telegrafi.

Viktima Bashkim Brahimaj ka qenë ish-pjesëtar i UÇK-së dhe për vrasjen e tij ka reaguar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të viktimës.