Policia apel qytetarëve: Mos ndizni zjarre në natyrë, po shkaktohet rrezik i përgjithshëm

Shqetësuese është zjarrvënia në Kosovë, e që ditëve të fundit rastet kanë qenë të shumta në numër.

Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarët që në asnjë mënyrë mos të ndezin zjarre në vende të hapura, qoftë në prona private, me qëllim të pastrimit të arave përmes ndezjes së mbeturinave në to, pasi që po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

Tutje është theksuar se bazuar në atë se disa nga rastet e fundit të zjarrvënieve kanë dalë nga kontrolli duke shkatërruar sipërfaqe të tëra të maleve, fushave dhe plantacioneve të mbjellë me pemë, objekte afariste dhe hapësira tjera duke kërcënuar direkt pasurinë dhe jetën e njerëzve.

“Policia e Kosovës, do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla, si dhe në të kundërtën do të hetojë të gjitha rastet e zjarrvnieve dhe ndaj kryerësve të veprës penale ‘zjarrvënie’ do të zbatojë masa ligjore”,është thënë nga policia, në një komunikat për media.