Policia apelon: Kujdes nga kombajat, po qarkullojnë natën edhe nëpër autostrada

Duke iu referuar sezonit veror dhe tani posaçërisht kur kemi në proces korrje-shirjet nëpër gjithë vendin kemi edhe lëvizje më të shpeshta te automjeteve duke përfshirë edhe qarkullimin e mjeteve për korrje-shirje (kombaja).

Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave në disa raste gjatë natës dhe ditën ka identifikuar që mjetet për korrje-shirje( kombaja) kanë qarkulluar nëpër autostradat e vendit, veprim ky që përveç që është i ndaluar rrezikon edhe jetët e pjesëmarrësve tjerë në autostradë duke pas parasysh edhe shpejtësinë e madhe të zhvilluar nëpër këto rrugë.

Policia apelon tek të gjithë që t’u shmangen veprimeve të tilla të qarkullimit nëpër autostradë me mjete për korrje-shirje (kombaja) sepse kjo rrezikon sigurinë në trafik, megjithëse masa ligjore ndëshkuese janë duke u ndërmarr në vazhdimësi.

Policia po përpiqet në vazhdimësi që përveç masave ndëshkuese bazuar në ligj, të njoftojë-sensibilizojë qytetarët apo pjesëmarrësit në trafik për vigjilencë të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe në veqanti evitimin e humbjes së jetëve njerëzore nga pakujdesia.