Policia bllokon rrugën “Rexhep Luci”në kryeqytet, largon qytetarët nga kafiteritë

Në orët e hershme të mëngjesit pjesëtarë të shumtë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë parë në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Dëshmitarët kanë treguar se policia përveç që ka larguar veturat e parkuara në rrugën afër Kinemasë ABC, ata kanë larguar edhe qytetarë të cilët ishin duke pirë kafe edhe në lokalet tjera përreth.

Policia e Kosovës në një prononcim për Telegrafin, ka sqaruar arsyet e pranisë së madhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Sipas zëdhënësit të PK-së, Agron Borovci, kjo ka të bëjë me hetimet rreth vrasjes në “Bon Vivant”.

“Gjykata Themelore e Prishtinës-Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar rikonstruim të vendit të ngjarjes për një rast të vrasjes të ndodhur kohë më parë në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Aktualisht janë duke u kryer veprime që ndërlidhen me rikonstruimin e vendit të ngjarjes ku ka ndodhur rasti”, ka thënë Borovci.