Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Policia britanike po kontrollon dy prona të lidhura me ish-ministrin Mandelson në...

Policia britanike po kontrollon dy prona të lidhura me ish-ministrin Mandelson në kuadër të hetimit për çështjen Epstein

Policia britanike ka bërë të ditur se po kryen kontrolle në dy prona të lidhura me ish-ministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Peter Mandelson, lidhur me hetimin e çështjes së Jeffrey Epsteinit, transmeton Anadolu.

Policia Metropolitane tha se ekipi i posaçëm i krimit është në proces të zbatimit të urdhrave të kontrollit në dy adresa, një në zonën Wiltshire në Anglinë Jugperëndimore dhe një tjetër në zonën Camden në Londër.

“Kontrollet lidhet me një hetim në vazhdim për vepra penale të sjelljes së pahijshme në detyrë publike, që përfshin një burrë 72-vjeçar. Ai nuk është arrestuar dhe hetimet janë në vazhdim”, theksoi zv/ndihmës komisari Hayley Sewart.

Dje, kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se është “penduar” që ka besuar “gënjeshtrat” e Mandelsonit dhe që e ka emëruar atë ambasador në SHBA, teksa presioni ndaj tij vazhdonte të rritej pasi ai pranoi se ka qenë në dijeni të lidhjeve të Mandelsonit me Epsteinin.

Kjo erdhi pasi Policia Metropolitane të martën njoftoi se ka nisur një hetim penal ndaj Mandelsonit, pas pretendimeve se ai kishte rrjedhur email-e qeveritare te Epsteini.

Më herët po ashtu të martën, qeveria britanike tha se kishte referuar materiale te policia pas një shqyrtimi fillestar të email-eve të Mandelsonit drejtuar Epsteinit.

Email-e të publikuara të premten e kaluar në SHBA zbuluan se Mandelsoni kishte përcjellë informacione të brendshme qeveritare te Epsteini, ndërsa shërbente si sekretar për biznesin në vitin 2009.

Të mërkurën, Mandelsoni dha dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve, mes presionit të vazhdueshëm lidhur me lidhjet e tij me Epsteinin.

Publikimi më i fundit i dosjeve gjithashtu e shtyu Mandelsonin të japë dorëheqjen të dielën nga Partia Laburiste.

Së fundmi, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi më shumë se 3 milionë faqe, 2 mijë video dhe 180 mijë imazhe të lidhura me Epsteinin, në kuadër të Aktit për Transparencën e Dosjeve Epstein, të nënshkruar në ligj nga presidenti amerikan, Donald Trump në nëntor.

Materialet përfshijnë fotografi, transkripte të jurisë së madhe dhe dosje hetimore, megjithëse shumë faqe mbeten të redaktuara rëndë.

Epstein u gjet i vdekur nga vetëvrasja në një burg të qytetit të New Yorkut në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual që përfshinin vajza të mitura.