Policia konfiskon mbi 60 kilogramë drogë në Skenderaj, arreston dy shtetas të Shqipërisë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar mbi 60 kilogramë drogë në Skenderaj, ndërsa lidhur me këtë janë arrestuar dy persona, shtetas të Shqipërisë.

“Më datë 02.03.2018 rreth orës 02:20, Policia e Kosovës me njësitë e saj gjatë patrullimit në qytetin e Skenderajt ka hasur dy persona meshkuj/shqiptarë, shtetas të Republikës së Shqipërisë. Pas procedurave të nevojshme të verifikimit dhe kontrollit ka rezultuar se të njëjtit ndodheshin me një automjet të tipit BMW me targa të Shqipërisë, ku gjatë kontrollit të veturës janë gjetur pesë (5) valixhe (çanta) me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore”, thuhet në njoftim.

Pas matjes sasia e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë ka rezultuar të jetë 61 kilogramë e 610 gram).

Dëshmi tjera relevante të konfiskuara përveç substancës së dyshuar narkotike janë: Një veturë BMW X3; Dy telefona mobil; 2200 lekë shqiptar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar dhe me vendim të tij dy të dyshuarve iu është konfirmuar vendimi për ndalim për 48 orë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në angazhimet e saj dhe nuk do të tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjet e vendit, e në veçanti do të jetë e pakompromis në luftimin e dukurive negative dhe trafikimit me narkotikë.