Policia në Vjenë nën kritika për përdorimin e tepruar të forcës ndaj adoleshentëve

Policia në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, po përballet me kritika pasi mbrëmë u shfaq një video që tregon efektivët e policisë duke përdorur forcë të tepruar kundër adoleshentëve në natën e Vitit të Ri, raporton Anadolu Agency (AA).

Pamjet, të cilat u përhapën në rrjetet sociale, shfaqnin punonjës policie të maskuar në Vjenë duke sulmuar të rinjtë me shkopinj, duke i shtyrë, ofenduar, kërcënuar dhe goditur, pasi u gjetën duke ndezur fishekzjarrë me rastin e vitit të ri.

Në internet gjithashtu u postuan edhe fotot e adoleshentëve të plagosur, ku u dallohen plagë në duar dhe në ballë.

Videoja nxiti reagime të ashpra nga përdoruesit e rrjeteve sociale.

Shumë gazetarë dhe autorë vendas gjithashtu reaguan në mediat sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Pas valës së kritikave, Departamenti i Policisë së Vjenës tha se ishte në dijeni të ngjarjes dhe premtoi se do të hetonte rastin.