Policia: Protesta në veri të Mitrovicës e qetë, morën pjesë qytetarë edhe nga rajonet tjera

Policia e Kosovës, ka njoftuar se protesta e qytetarëve serb në veri të Mitrovicës, kundër rregullores së BQK-së që ndalon qarkullimin e dinarit në Kosovë ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në këtë protestë kanë marrë pjesë rreth 1.800 qytetarë, përfshirë edhe ata që kanë ardhur nga rajone të ndryshme në mënyrë të organizuar me autobus e vetura

“Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia ka bërë të ditur se për këtë protestë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

“Ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike”, thuhet tutje.