Politika e njohjes së gjenocidit

Enis Sulstarova

Shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë dilemë për të përdorur fjalën gjenocid për masakrat, shkatërrimet dhe shpërnguljet që kanë pësuar në Kosovë dhe Çamëri. Pavarësisht nëse padia që Kosova do te ngrejë kundër Serbisë do të pranohet ose jo nga gjykata, njohja e gjenocidit të Serbisë në Kosovë është politika e duhur për t’u ndjekur nga shqiptarët.

Shkruan: Enis Sulstarova

Gjenocidi ndan politikën shqiptare

Më 16 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Në nëntor 2020 Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje! dorëzon pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për miratimin e një rezolute që kërkon njohjen dhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Midis të tjerash, kërkohet që rezoluta të mbështesë rezolutat e mëparshme për gjenocidin dhe krimet në Kosovë, që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë dhe të përmbajë detyrime konkrete për institucionet shtetërore të Shqipërisë për të vepruar në pajtim me këtë rezolutë. Kjo kërkesë nuk pranohet nga shumica qeverisëse, që i përket Partisë Socialiste. Më 17 dhjetor 2020, Presidentja Vjosa Osmani kërkoi nga Shqipëria që të njohë me rezolutë të Kuvendit gjenocidin serb në Kosovë dhe përkrahje diplomatike për njohje nga shtete të tjera. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përgjigjet se kërkesat e Presidentes janë në funksion të politikës së brendshme të Kosovës dhe se “nuk fitohet lufta me Serbinë duke ardhur në Tiranë dhe duke rrotulluar thikën e nacional-folklorizmit vulgar”. Në maj 2021, kryeministri Albin Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës po përgatitet që ta padisë Serbinë për gjenocidin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaron që meqenëse Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), atëherë këtë padi mund ta ngrejë me anë të Shqipërisë dhe kjo do të thoshte se ka një plan për bashkimin e këtyre dy shteteve. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përgjigjet se Kosova të shohë drejt së ardhmes dhe vë në dyshim nëse padia për gjenocid është hapi i duhur që prodhon rezultat: “Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin”. Sipas tij, Kosova nuk duhet ta bëjë këtë hap pa u konsultuar me aleatët, të cilët nuk duket se e mbështesin këtë ide. Rama e fton Kosovën që t’i bashkëngjitet nismës së “minishengenit”, si shembull i mirë i bashkëpunimit të fqinjëve për të lënë mbrapa konfliktet e kaluara dhe për të parë drejt së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian. Në korrik të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë për njohjen e gjenocidit serb në Srebrenicë dhe për dënimin e përpjekjeve për mohimin e këtij gjenocidi. Në Shqipëri, opozita në Kuvend kërkon miratimin e një rezolute që dënon gjenocidin serb në Kosovë dhe në Srebrenicë. Shumica sërish nuk e mbështet këtë nismë.

Kur e vështron sekuencën e mësipërme të ngjarjeve, të bie në sy se Kosova po kërkon të fitojë kohën e humbur për të vendosur raportin e duhur me Serbinë, ndërsa Shqipëria tregohet skeptike dhe ngurron t’i japë përkrahje në këtë çështje. Për më tepër, politika e jashtme e Shqipërisë ka në qendër projektin e “minishengenit” ballkanik, i cili është një manovër e Serbisë për ta izoluar Kosovën dhe për të dëshmuar epërsinë e saj mbi shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nuk është rastësi që shtetet që më së shumti rrezikohen nga Serbia – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina – nuk kanë pranuar të marrin pjesë në këtë projekt. Ndërkaq, “shteti amë” i shqiptarëve dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, një e treta e qytetarëve të së cilës janë shqiptarë, i kanë dhënë dy këmbët e tjera projektit të “minishengenit” për ta mbajtur atë në këmbë. Së bashku me të ndjerin Arbën Xhaferi pyesim: “Pse jemi kaq dashamirës me të tjerët dhe ata aq nopranë me ne? Pse kemi kaq shumë mirëkuptim për nacionalizmin e tyre dhe aq neveri për nacionalizmin tonë, pse kauzat e tyre kombëtare na duken normale dhe e jona e diskutueshme… Pse neve na duken më të qytetëruara dhe të obligueshme qëndrimet e moderuara kur kemi të bëjmë me çështjen tonë kombëtare dhe nuk na duken të vjetruara qëndrimet radikale të të tjerëve?” (Arbën Xhaferi, “Vepra 1”, Prishtinë, 2017, f. 92). Për ironi, në ballinë të veprave të Xhaferit ndodhet shënimi: “Botohet nën përkujdesjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama”, dhe në hapje të vëllimit të parë, nga i cili është shkëputur edhe citati, ndodhet një parathënie e shkruar nga Edi Rama, e cila hapet me fjalinë: “Nuk e di a ka një shqiptar tjetër që ta ketë përdorur penën për t’i dhënë njerëzve të kësaj gjuhe një horizont të përbashkët politik, shoqëror e ekonomik, pavarësisht kufijve gjeografike që e mbajnë të ndarë shqiptarët, siç e ka bërë Arbër Xhaferi”. Fjalë të thëna në erë, përderisa vetë Rama këmbëngul që Republika e Shqipërisë të distancohet nga politika kombëtare që po ndjek Republika e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit dhe që Serbinë e Vuçiqit ta shtrojë këmbëkryq në mes të Shqipërisë, ta ftojë të shprehë keqardhje për viktimat e tërmetit dhe ta bëjë të ftuarin e nderit në koncerte gala. Rama duhet ta rilexojë artikullin e Xhaferit dhe ta kuptojë se pyetjet e mësipërme i drejtohen së pari atij vetë. Gjithashtu, Ramës i kujtojmë se shqiptarët nuk ndahen prej kufijve gjeografikë, por prej kufijve politikë!

Gjenocidet e shqiptarëve

Shqiptarët kanë pësuar gjenocide më përpara se të shpikej kjo fjalë, që tregon cakun e fundit të krimit ndaj një populli, si të thuash “krimin e krimeve” ose të keqen absolute. Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, gjenocidi përkufizohet si “veprime të ndërmarra me synimin për të shkatërruar, plotësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”. Shkatërrimi mund të jetë rezultat i (1) vrasjes së anëtarëve të grupit; (2) shkaktimit të dëmeve serioze trupore apo mendore ndaj anëtarëve të grupit; (3) krijimit me qëllim të kushteve të jetesës që janë llogaritur për të sjellë shkatërrimin e plotë apo të pjesshëm të grupit; (4) imponimit të masave për të ndaluar lindjet brenda grupit; (5) transferimit me dhunë të fëmijëve të grupit te një grup tjetër. Qëllimi që ka një shtet ose një grup për të shkatërruar një grup tjetër dallohet në propagandën e urrejtjes, përgjigjen shumë herë më të ashpër ndaj veprimeve të mbrojtjes ose të kundërshtimit dhe provave se shteti ka injoruar ose mbuluar vrasjet dhe abuzimet e tjera ndaj grupit viktimë. Zgjerimi i Serbisë është shoqëruar me gjenocide ndaj shqiptarëve, sepse vetëm kështu Serbia mendonte se mund ta përjetësonte pronësinë mbi territoret e tyre. Pushtimit i ka paraprirë planifikimi i zhdukjes dhe i përzënies së shqiptarëve. Kjo ka ndodhur që nga vitet 1870-të, por është katërçipërisht e provuar gjatë pushtimit të Kosovës në vitet 1912-1913 dhe ripushtimit të saj në fund të dy luftërave botërore. Janë vetë dëshmitarët serbë, në radhë të parë Dimitrije Tucoviq, që kanë pohuar se synimi i ushtrive serbe e malazeze dhe i paraushtarakëve që i shoqëronin ishte shkatërrimi i popullit shqiptar dhe bëhej ç’ishte e mundur për ta mbuluar këtë krim nga bota e qytetëruar. Ishin shkencëtarët serbë ata që u përpoqën t’ia mbushin mendjen botës se shqiptarët janë një specie nën-njerëzore, sepse i kanë kafkat më të vogla, mbajnë bishta dhe flenë nëpër drurë. Janë shkencëtarë e akademikë serbë ata që vazhdimisht kanë bërë elaborate “shkencore” mbi metodat më të mira shtetërore për të përzënë shqiptarët. Disa vite përpara se Hitleri të planifikonte gjenocidin e çifutëve, duke shkruar se “kush flet sot për shfarosjen e armenëve?”, ishte Vasa Çubrilloviqi që do të shkruante në fund të traktatit të tij për shpërnguljen e “arnautëve” se “bota sot është mësuar edhe me gjëra shumë më të këqija dhe… nuk do të ndodhë ndonjë luftë botërore për shkak të disa qindra mijëra arnautëve të shpërngulur”. Plani për shpërnguljen në vitet e socializmit do të vijonte me rinovimin e marrëveshjes me Turqinë për të pranuar “turqit” që dëshironin të linin Jugosllavinë, me ç’rast qindra mijëra shqiptarë pa dëshirën e tyre u shpallën si turq dhe u përzunë.

Në krahun tjetër, a nuk ka ngjashmëri të madhe masakrimi dhe shpërngulja e çamëve nga andartët grekë me masakrën e Srebrenicës, e cila botërisht njihet si gjenocid? A nuk janë çamët pjesë e popullit shqiptar dhe a nuk mund të pretendojnë ata se shkatërrimi i tyre si komunitet në trojet e veta përbën një gjenocid?

Ishin sërish shkencëtarët dhe intelektualët serbë ata që në vitet 1980-të vunë alarmin për “bombën demografike” në Kosovë dhe që kërkonin gjetjen e mënyrave për ta ndalur shtimin natyror të shqiptarëve. Për të nxitur urrejtjen e popullit serb u ngrit një propagandë masive, e cila shqiptarët i quante uzurpatorë, një tepri njerëzore që po “ndynte” tokën e shenjtë të Kosovës dhe që duhej përzënë në Shqipëri e Turqi. A nuk u planifikua shkatërrimi i Jugosllavisë nga shqetësimi i Akademisë së Shkencave të Serbisë me situatën demografike të Kosovës? Në fakt autorët e “Memorandumit” nuk druhen ta përshkruajnë situatën në Kosovë si një gjenocid të heshtur ndaj serbëve: “Gjenocidi fizik, politik, juridik dhe kulturor i popullatës serbe në Kosovë e Metohi përfaqëson disfatën më të madhe të Serbisë ndër luftërat e saj të çlirimit, që nga koha e Orashakut me 1805 deri në kryengritjen e vitit 1941”. A nuk gjeti pjesa më e madhe e elitës intelektuale serbe te personi i Sllobodan Millosheviqit heroin që priste për “çlirimin” e serbëve nga Jugosllavia dhe a nuk nisi ngritja politike e Millosheviqit nga tubimi i Fushë-Kosovës?

Gjenocidi nuk ndodh menjëherë. Ai është një proces. Kampi i Aushvicit u ndërtua për të përmbyllur një projekt, i cili ishte ideuar përpara luftës dhe që, ndërkohë, kishte kaluar nëpër disa etapa. Po kështu, gjenocidi i shqiptarëve në vitet 1998-1999 nuk mund të shihet i shkëputur nga fantazma e “Serbisë së Madhe” që u shfaq në prag të rënies së Jugosllavisë, nga “Memorandumi”, nga kujtesa e gjenocidit të viteve 1912-1913, nga regjimi i aparteidit që u vendos në Kosovë pas anulimit të paligjshëm të autonomisë. Në fillim të viteve 1990-të, LDK-ja dhe përfaqësues të tjerë politikë të shqiptarëve të Kosovës e paralajmëronin Perëndimin për mundësinë e një gjenocidi në Kosovë. Terrori i një gjenocidi të ardhshëm e pasivizoi jashtë mase lëvizjen paqësore për republikë. Aq shumë mbizotëronte mendësia për të mos provokuar reprezaljen serbe, saqë Rugova nuk nguroi që daljen publike të UÇK-së ta quante si manovër të shërbimeve sekrete të Serbisë. Gjatë luftës së viteve 1998-1999 opinioni publik perëndimor u bind se një gjenocid po ndodhte në Kosovë dhe i bëri trysni qeverive të veta që të ndërhyhej. Tani, disa dekada pas luftës së fundit, pse duhet që shqiptarët “të moderojnë” akuzat e tyre ndaj Serbisë për atë që ka ndodhur në Kosovë nën sundimin serbo-jugosllav? Mos ndoshta skeptikët nuk binden me shifrat e të vrarëve? Kush mund të thotë me plot gojë se 10,000 të vrarë e të zhdukur, mijëra gra të përdhunuara dhe më shumë se një milion të shpërngulur nuk janë dëshmi e gjenocidit në një popullatë rreth dy-milionëshe? Vlerësimi i gjenocidit nuk është te shifrat. Nuk ka ndonjë kriter të përcaktuar të vrasjeve, përtej të cilit masakra shndërrohet në gjenocid. Më i rëndësishëm është kriteri i qëllimit: nëse provohet se qëllimi i nuk është vetëm nënshtrimi, por shkatërrimi i një populli, me anë të vrasjeve, përdhunimeve, shkatërrimeve, shpërnguljeve e mënyrave të tjera, nuk ka dhe aq rëndësi numri i të vrarëve, i të përdhunuarve, sasia e shkatërrimit dhe numri i të shpërngulurve. Gjenocidi në Kosovë ishte një proces që nisi së paku në vitet 1980-të dhe u frymëzua nga gjenocidet e mëparshme. Ai nuk e realizoi synimin e tij për shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët, por ishte shumë pranë realizimit, përderisa mbi një milion shqiptarë u detyruan të dilnin jashtë Kosovës si refugjatë lufte. Nëse lufta do të ishte zgjatur, pa dyshim që numri i refugjatëve do të rritej dhe një pjesë nuk do të arrinin kurrë të ktheheshin në shtëpitë e veta, por do të vendoseshin tjetërkund.

Njohja e gjenocidit

Shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë dilemë për të përdorur fjalën gjenocid për masakrat, shkatërrimet dhe shpërnguljet që kanë pësuar në Kosovë dhe Çamëri. Pavarësisht nëse padia që Kosova do te ngrejë kundër Serbisë do të pranohet ose jo nga gjykata, njohja e gjenocidit të Serbisë në Kosovë është politika e duhur për t’u ndjekur nga shqiptarët. Njohja e gjenocideve që kanë pësuar shqiptarët në historinë e vonë ka të bëjë me kujtesën tonë kolektive për të shkuarën dhe mësimet që duam t’u përcjellim brezave të ardhshme. Homazhi më i mirë që mund t’u bëjmë viktimave të pafajshme që u masakruan, u dogjën, u përndoqën e u shpërngulën nga trojet e veta vetëm e vetëm se ishin shqiptarë është nderimi kolektiv përmes muzeve, ritualeve, librave shkollorë, dokumentarëve etj. Kjo është detyrë si e shtetit të Kosovës, po ashtu edhe të Shqipërisë, si edhe e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Nuk mund të ketë vetëdije të shëndoshë kombëtare pa njohur e kujtuar dhimbjen e vuajtjen e të gjithë pjesëve të ndara të kombit tonë. Po kështu, nderimi për veten, dinjiteti i kombit shqiptar midis kombeve të tjerë e kërkon që të bëjmë përpjekje që të tjerët të njohin gjenocidet që kemi pësuar. Të kërkojmë njohjen që po kërkojnë armenët për shpërnguljet dhe masakrat që pësuan prej xhonturqve; njohjen që po kërkojnë ukrainasit për urinë masive të planifikuar nga regjimi komunist në Bashkimin Sovjetik. Edhe çerkezët po kërkojnë që masakrat e shpërnguljet që kanë pësuar në shek. XIX nga regjimi carist të njihen si gjenocid. Diaspora e madhe shqiptare në Perëndim njohjen ndërkombëtare të gjenocideve, që shqiptarët kanë pësuar nga Serbia dhe Greqia, duhet ta kthejë në kauzën qendrore, siç kanë çështje të tilla edhe diasporat çerkeze e armene. Sido që të jetë humori i qeverive në Tiranë e Prishtinë, sido që të jenë marrëveshjet që politikanët në Tiranë e Prishtinë bëjnë me politikanë në Beograd e Athinë, diaspora shqiptare nuk duhet ta pushojë lobimin e saj pranë demokracive perëndimore dhe në shtete të tjera, ku ajo përbën një numër të konsiderueshëm. Këtë organizatat e diasporës duhet ta bëjnë në radhë të parë për veten, sepse çështja e gjenocideve do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve jashtë atdheut. /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *