Jaroslaw Kaczynski, lideri i partisë në pushtet për Ligj dhe Drejtësi tha për të përjavshmen ‘Sieci’ se, nuk do të përjashtohet mundësia për zgjedhje të parakohshme.
Kaczynski, i konsideruar shpesh si politikani më i fuqishëm në Poloni, tha se zgjedhjet e vitit 2023 mund të zhvillohen më herët.
Kaczynski tha se qeveria po përballet me një vit jashtëzakonisht të vështirë, me probleme që variojnë nga pandemia e Covid-19, inflacioni në rritje deri te kriza e migrantëve në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë.
Pavarësisht kësaj, ai tha se kishte besim se partia e tij, e cila dominon koalicionin qeverisës të së Djathtës së Bashkuar, do të mbetet në detyrë.
“Partia për Ligj dhe Drejtësi synon të sigurojë një fitore tjetër, mundësisht në zgjedhjet e vitit 2023”, tha Kaczynski.
“Megjithëse mund të ndodhë që zgjedhjet të mbahen më herët… Kemi pandeminë, e cila është një sfidë e madhe në vetvete dhe prej disa kohësh po përballemi me një inflacion të lartë. Sulmet hibride ndaj kufirit polako-bjellorus po vazhdon, ashtu si edhe operacionet e Rusisë kundër Ukrainës dhe të gjithë rajonit”, shtoi ai.
Kaczynski dhe qeveria duhet të zgjidhin gjithashtu një mosmarrëveshje të stërzgjatur me Brukselin mbi rishikimin e sistemit gjyqësor polak.
Një dhomë e re disiplinore gjyqësore ka shkaktuar, në veçanti, mosmarrëveshje midis Varshavës dhe Brukselit me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë që kërkon pezullimin e saj për shkak të mungesës së pavarësisë politike. /atsh