Polonia: Lukashenko po përdor fëmijët në krizën migratore kufitare

Përfaqësuesi i Përhershëm polak në Bruksel u tha vendeve anëtare të BE-së se Bjellorusia po përdor fëmijët në një përpjekje për të destabilizuar BE-në përmes presionit migrues.

Andrzej Sados u tha kolegëve të tij të BE se ”regjimi bjellorus po përdor me vetëdije dhe cinizëm fëmijët për të destabilizuar Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, dhe përfundimisht të gjithë BE-në”.

Tre anëtarët lindorë të BE-së akuzuan qeverinë e Aleksander Lukashenkos, presidentit të Bjellorusisë, për sjelljen e migrantëve nga Lindja e Mesme dhe më pas shtyrjen e tyre përtej kufirit të BE-së, në një përpjekje për të nxitur një krizë tjetër migrimi të saj, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet që Brukseli ka vendosur ndaj Minskut.

Sipas Sados ”Lukashenko ka sjellë familje të tëra në Bjellorusi me premtimin e qasjes së lehtë në BE. Por, në realitet, regjimi i detyroi migrantët të enden nëpër pyje dhe të përpiqen të kalojnë kufirin ilegalisht”.

Varshava ka vendosur një gjendje të jashtëzakonshme përgjatë kufirit me Bjellorusinë për shkak të rritjes së numrit të migrantëve që hyjnë në Poloni nga Bjellorusia. /atsh