Polonia refuzon të paguajë gjobën ditore prej 1 milion euro të vendosur nga BE: Vetëm të dobëtit dorëzohen

Polonia ka vendosur të mos paguajë gjobën e vendosur nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë prej 1 milion euro (1.2 milion dollarë) në ditë për reformat e bëra në drejtësi. Në një konferencë, Ministri i Drejtësisë Zbigniew Ziobro tha se shteti Polak nuk do të përulet para paligjshmërisë, duke shtuar se Polonia nuk mund dhe nuk duhet të paguaj asnjë zloty (monedhë vendase).

“Vetëm të dobëtit i dorëzohen presionit. Le të bëjmë punën tonë, le të reformojmë sistemin e drejtësisë dhe të kujdesemi për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian. Le të kujdesemi edhe për standardet e Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë që ligji të jetë i njëjtë kudo dhe të zbatohet në të njëjtën mënyrë”, tha ai.

Varshava ende nuk e ka shpërbërë dhomën disiplinore

Gjykata e lartë e Drejtësisë njoftoi gjobën të mërkurën, por ende dhoma e drejtësisë e krijuar nga Partia në pushtet nuk është shpërbërë. Në fjalimin e tij më të fundit në Parlamentin Evropian, kryeministri polak Mateusz Morawiecki, ashtu si lideri i PiS Jaroslaw Kaczynski para tij, kishte thënë se dhoma disiplinore do të shpërbëhej “në formën e saj aktuale”, jo për shkak të vendimit në Luksemburg, por sepse institucioni nuk po arrinte të përmbushte detyrat e tij. Tashmë planet e para për reformën do të prezantoheshin në shtator, por afati erdhi dhe shkoi pa ndryshime. /tiranapost