Presidenca: “Open Ballkan” po shihet si instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia

Nga Presidenca e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së fundi të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se Rusia e mbështet iniciativën e Ballkanit të Hapur, e cila është nismë e Serbisë.

Shefi i stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Blerim Vela, përmes një publikimi në Twitter tha se Lavrov e sheh këtë nismë si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia.

“Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov konfirmon hapur lidhjen në mes synimeve hegjemoniste të Rusisë në Ukrainë dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, Lavrov e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO”, shkroi ai.

E lidhur me këtë deklaratë të ministrit rus, ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Haki Abazi.

Abazi th se meqenëse Lavrov e mbështet “Open Ballkan”, ndërkohë që shkatërron Ukrainën, a do të thotë kjo se kushdo që mbështet këtë nismë e mbështet po ashtu edhe shkatërrimin e këtij shteti.

Lavrov gjithashtu deklaroi se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.

Samiti i Ballkanit të Hapur do të zhvillohet më 7 dhe 8 qershor në Ohër. Për herë të parë pjesë e këtij samiti do të jetë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Për dallim nga Kosova që ka refuzuar ftesën për t’iu bashkuar këtij samiti, këto dy shtete tashmë do të jenë në tavolinën ku do të zhvillohet ku samit.