Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti Begaj: Samiti i Diasporës Shqiptare zhvillohet në një moment kyç

Presidenti Begaj: Samiti i Diasporës Shqiptare zhvillohet në një moment kyç

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Samiti i Diasporës Shqiptare zhvillohet në një moment kyç, sipas tij kurrë më parë kaq afër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është mbajtur ceremonia e hapjes së Samitit të katërt të Diasporës Shqiptare, me pjesëmarrjen e presidentit Begaj, zyrtarëve të tjerë dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij, Begaj u shpreh se “Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar”.

“Samiti i Diasporës zhvillohet në një moment kyç, kurrë më parë kaq afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi. Në këtë rrugëtim, diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo nuk është thjesht një pjesë e historisë sonë, por forca që përcakton se sa larg mund të shkojmë si komb. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës si mendojmë për shtetin, për shoqërinë dhe për të ardhmen”, tha Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se për vite me radhë, lidhja mes shtetit shqiptar dhe diasporës ka qenë më shumë emocionale, sipas tij, sesa strategjike.

“Kur flasim për diasporën sot, nuk flasim më vetëm për nostalgji, për mall apo për numra. Flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga majat e inteligjencës artificiale, tek institucionet ndërkombëtare, tek auditorët e universiteteve më të mira, te sipërmarrjet e suksesshme, te sallat e operacionit, te fushat e sportit dhe skenat e artit”, u shpreh ndër të tjera Begaj.

Begaj theksoi se synimi është që t’i kthejnë kursimet e diasporës në kapitale zhvillimi, në investime reale në energji, turizëm, bujqësi, teknologji dhe ide të reja.

“Ndërsa shohim drejt vitit 2030, objektivit strategjik të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të harrojmë busullën tonë: identitetin tonë kombëtar. Në rrugën drejt Evropës, diaspora jonë shqiptare është zëri ynë më i besuar, përfaqësues i diplomacisë publike”, tha Begaj.

Gjatë ceremonisë, presidenti Begaj ka dekoruar personalitete të ndryshme të diasporës shqiptare me dekorata të ndryshme.

Samiti i Diasporës Shqiptare do të mbahet në Tiranë më 13-15 prill me moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”.

Sipas autoriteteve shqiptare, samiti është një ngjarje e rëndësishme kombëtare që mbledh shqiptarët nga e gjithë bota, “në një platformë unike bashkëpunimi, promovimi të identitetit dhe zhvillimi”.