Presidenti Biden vlerëson Katarin lidhur me shkëmbimin e të burgosurve mes SHBA-së dhe Iranit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një bisedë telefonike me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, vlerësoi Katarin për mbështetjen e dhënë në bisedimet e kryera me Iranin në kuadër të shkëmbimit të të burgosurve, transmeton Anadolu.

Sipas një kumtese nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Biden zhvilloi një bisedë telefonike me emirin e Katarit, Sheikh Tamim.

Dy liderët theksuan se janë të vendosur të punojnë së bashku për të trajtuar vështirësitë rajonale dhe globale.

Krahas ofrimit të mbështetjes për shkëmbimin e të burgosurve mes SHBA-së dhe Iranit, Biden vlerësoi Katarin edhe për mbështetjen kundrejt popullit të Afganistanit.

Po ashtu dy liderët kanë vënë theksin për vendosmërinë e tyre në çështjen e thellimit të bashkëpunimit për mbrojtjen edhe sigurinë, si dhe trajtuan edhe çështjen e avancimit të vizionit të përbashkët për një Lindje të Mesme më paqësore, më të sigurt dhe më të stabilizuar.

– Të ardhurat e Iranit nga nafta të ngrira në Korenë e Jugut u liruan me shkëmbimin e të burgosurve

SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për shkëmbimin e 5 shtetasve iranianë të arrestuar në SHBA më 10 gusht dhe të 5 shtetasve amerikanë të arrestuar në Iran, si dhe për qasjen e Iranit në të ardhurat e tij të naftës prej rreth 6 miliard dollarë në Korenë e Jugut.

Në kuadrin e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Katarit dhe Omanit, personat në fjalë u liruan me 18 shtator pas transferimit të rreth 5.6 miliard eurove në 6 llogari të ndryshme të Iranit në bankat në Katar.