Presidenti Erdoğan zhvillon bisedë telefonike me homologun e tij rus Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, raporton Anadolu.

Sipas një deklarate nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, thuhet se dy liderët në bisedë ranë dakord për çështjen e vizitës së Putinit në Turqi.

Presidenti Erdoğan falënderoi homologun e tij për dy avionët amfibë zjarrfikës që Rusia ia ka dërguar Turqisë në përballimin me zjarret e pyjeve si dhe shprehu kënaqësinë për interesin në rritje të turistëve rusë për Turqi, duke theksuar besimin e tij se me përpjekje të përbashkëta këtë vit do të thyhet rekord në turizëm.

Ndër të tjera, pasi deklaroi se nuk duhet të ndërmerren hapa që do të rrisnin tensionin në luftën Rusi-Ukrainës, presidenti Erdoğan vuri theksin mbi rëndësinë e Iniciativës së Detit të Zi të cilën ai e vlerësoi si “urë të paqes”.

Duke tërhequr vëmendjen se mbajtja jashtë funksionit për një kohë të gjatë të Iniciativës së Detit të Zi nuk do të jetë në dobinë e askujt dhe se dëmin më të madh do ta ndjejnë vendet që kanë nevojë për drithërat dhe vendet me nivel të ulët të të ardhurave, Erdoğan bëri të ditur se çmimet e drithërave u ulën në nivelin 23 për qind gjatë periudhës së zbatimit dhe u rritën për 15 për qind në dy javët e fundit.

Presidenti Erdoğan theksoi se Turqia do të vazhdojë të bëjë përpjekje intensive dhe diplomaci për vazhdimin e Iniciativës në Detin e Zi.