Presidenti francez uron Kurtin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për formimin e Qeverisë dhe i ka dëshiruar sukses në detyrën e Kryeministrit.

Në letër urimin e dërguar, Macron i ka shkruar Kurtit se duke votuar për listën që ai udhëhoqi gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, shumica e votuesve që morën pjesë në votime shprehën dëshirën e tyre për ndryshim.

“Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”, ka shkruar Presidenti Macron.

”Këtu, ka thënë ai, duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë e cila duhet të ketë përparësi të menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj. Presidenti francez i ka dhënë mbështetjen e tij Kryeministrit Kurti për të gjitha prioritetet për të mirën e kosovarëve.

Ai gjithashtu ka ofruar mbështetjen e tij edhe për dialogun Kosovë-Serbi që, sipas tij, duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Në fund të urimit Presidenti Emmanuel Macron ka thënë se do të ishte shumë i lumtur që së shpejti të mirëpres Kurtin për vizitë në Paris.