Presidenti gjerman paralajmëron se bota po kalon në “fazën e konfrontimit”

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se bota po kalon në një fazë konfrontimi dhe se Gjermaninë e presin vite më të vështira, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim madhor, presidenti Steinmeier paralajmëroi për pasoja të rënda nga lufta Rusi-Ukrainë, duke theksuar se Gjermanisë do t’i duhet të përballet me sfida të reja. Ai po ashtu bëri thirrje për solidaritet publik përballë krizave të vazhdueshme.

“24 shkurti ishte një pikë kthese në histori”, tha Steinmeier, duke iu referuar fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ai shtoi se lufta i dha fund një epoke të paqes dhe stabilitetit nga e cila gjermanët përfituan shumë dhe e ktheu rendin evropian të sigurisë në “rrënoja”.

“Me obsesionin e tij perandorak, presidenti rus ka thyer ligjin ndërkombëtar, ka sfiduar kufijtë, ka kryer grabitje tokash. Sulmi rus është një sulm ndaj të gjitha mësimeve që bota ka nxjerrë nga dy luftërat botërore”, theksoi Steinmeier.

Presidenti gjerman tha se pasojat e luftës, kërcënimet e reja të sigurisë, kriza energjetike dhe inflacioni e kanë sfiduar shumë modelin e suksesshëm ekonomik të Gjermanisë.

“Besoj se shumë nga shqetësimet akoma vlejnë. Ne po përjetojmë krizën më të thellë që nga ri-bashkimi i Gjermanisë”, theksoi ai.

Më tej, ai po ashtu tha se Gjermania do të shkurtojë varësinë e saj nga gazi dhe nafta ruse dhe do të përshtatet me sfidat e reja duke ndërmarrë hapat e nevojshme, por nuk do t’i japë fund përpjekjeve të saj për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Një përballje e re e bllokut, një ndarje e botës në ‘ne kundër tyre’ nuk është në interesin tonë. Po, ne duhet të reduktojmë cenueshmërinë tonë, të reduktojmë varësinë e njëanshme, por kjo nuk do të thotë më pak rrjetëzim me botën, por më shumë”, tha presidenti Steinmeier.