Presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev: Duam të vendosim marrëdhënie me Armeninë

İlham Aliyev

Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev tha se duan të vendosin marrëdhënie me Armeninë dhe se Bashkimi Evropian mund t’i ndihmojë në këtë çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aliyev priti në një takim Peter Michalkon, përfaqësuesin e ri të BE-së për Azerbajxhanin.

Në fjalën e tij në takim, duke bërë me dije se me BE-në janë duke punuar ngushtë në shumë çështje, Aliyev tha se mendojnë se BE-ja mund të japë kontribut për zhvillimin, ndërtimin e paqes së përhershme dhe bashkëpunimin në periudhën pas Luftës së Karabakut.

“Ne duam të kthejmë faqen dhe të vendosim marrëdhënie me fqinjin tonë Armeninë. Jemi të gatshëm të fillojmë negociatat për marrëveshjen e paqes, përcaktimin e vijës kufitare dhe hapjen e lidhjeve të komunikimit. Ky proces ka filluar pjesërisht. Por, nëse BE-ja merr pjesë në mënyrë aktive, për të cilën unë shoh një dëshirë të tillë, mendoj se ajo mund të na ndihmojë në shumë fusha”, theksoi Aliyev dhe shtoi se:

“Situata në Kaukazin Jugor në përgjithësi mund të kalojë në një dimension plotësisht të ri që nuk ka ekzistuar për 30 vjet. Ky mund të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për stabilitetin, parashikueshmërinë dhe paqen”. /aa