Presidenti i Sirisë pajtohet të hapen dy pika kufitare për ndihma

Presidenti i Sirisë, Bashar Al-Assad ka vendosur të hënën që të hapë dy pika kufitare nga Turqia në veri-perëndim të Sirisë, për një periudhë tremujore, për të lejuar që të arrijnë me kohë ndihmat humanitare, raporton “CNN”.

Kombet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Al-Assadit.

“Hapja e këtyre pikave kufitare – duke ndihmuar qasjen humanitare, përshpejtuar procesin e vizave dhe lehtësuar udhëtimin – do të lejojë që më tepër ndihma të vijnë më shpejt”, ka thënë sekretari i OKB-së, Antonio Guterres

Dërgesat me furnizime urgjente për zonat e goditura nga tërmeti në veri dhe veriperëndim të Sirisë, zona që kontrollohen nga rebelet, janë komplikuar nga lufta e gjatë civile mes grupeve opozitare dhe Qeverisë së Sirisë.

Të enjten, OKB-ja ishte në gjendje të dërgonte konvojin e parë me ndihma në Siri nga Turqia, që kur tërmeti 7.8 ballë Rihter të hënën e kaluar tronditi Turqinë e Sirinë. Tërmeti ka shkaktuar mbi 36 mijë viktima. /koha