Presidenti kinez Xi Jinping pret në takim miliarderin Bill Gates – VIDEO

Presidenti i Kinës, Xi Jinping priti miliarderin Bill Gates, themelues i Microsoft dhe bashkëkryetar i Fondacionit “Bill dhe Melinda Gates”, i cili deklaroi se themeli i marrëdhënieve midis Pekinit dhe Washingtonit janë lidhjet ndërpersonale, transmeton Anadolu.

“Ju jeni miku i parë amerikan që takova në Pekin këtë vit”, tha Xi në takimin me Gates, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua. Gates mbërriti në Kinë të mërkurën për vizitën e tij të parë në superfuqinë globale në katër vjet. Deri më tani, ai ka qenë në Kinë gjithsej 18 herë.

“Ne gjithmonë e vendosim shpresën tonë te populli amerikan dhe shpresojmë që popujt e dy vendeve tona do të ruajnë miqësinë e tyre”, tha Xi. Takimi erdhi mes atyre që Pekini i quan vështirësi të reja me të cilat përballen marrëdhëniet kinezo-amerikane.

“Njerëzit duhet të lëvizin më shumë, të komunikojnë më shumë dhe të përmirësojnë mirëkuptimin”, tha Xi. Udhëheqësi kinez tha se Kina është e gatshme të punojë me Gates dhe fondacionin e tij për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit në fushat përkatëse dhe për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për vendet e tjera në zhvillim.

Pas mbërritjes në Kinë, Gates tha se do të vizitojë partnerët e fondacionit të tij, të cilët kanë punuar për sfidat globale të shëndetit dhe zhvillimit për më shumë se 15 vjet.

“Trajtimi i çështjeve si ndryshimi i klimës, pabarazia shëndetësore dhe pasiguria ushqimore kërkon risi. Nga zhvillimi i ilaçeve kundër malaries deri tek investimi në përshtatjen klimatike, Kina ka shumë përvojë në këtë. Ne duhet ta zhbllokojmë këtë lloj përparimi për më shumë njerëz në mbarë botën”, shkroi Gates në Twitter.