Presidenti kroat tërheq deklaratën, thotë se Serbia duhet ta pranojë Kosovën

Presidenti kroat Zoran Millanoviq, i cili ditë më parë nxiti reagime të ashpra pas deklaratave se Kosova është aneksuar dhe i është marrë Serbisë nga faktori ndërkombëtar, sot ka tentuar të bëjë një lloj sqarimi, duke aluduar se deklarata e tij është keqinterpretuar.

Sipas tij, Serbia në njëfarë mënyre duhet ta njoh Kosovën si shtet të pavarur, duke theksuar se Beogradi duhet ta kuptojë se “romanca serbo-ruse” do të del të jetë një dashnore e mashtruar, transmeton Telegrafi.

Gjatë një konference për media në Zagreb në prezencë të presidentes së re sllovene Natasha Pirc Musar, ai tha se në Serbi “disa gjëra duhet të ndryshojnë” për të arritur në perëndim “ku është e mirëpritur”.

“Situata në Ukrainë është fillimi i fundit të një romance të parashikuar serbo-ruse, ku Serbia do ta kuptojë se është një dashnore e mashtruar”, tha Millanoviq duke shtuar se Rusisë i pengon edhe “çështja e Kosovës”.

“Rusia po tenton diçka me Ukrainën, e shembulli i Kosovës po i duket si gjemb në sy. Rusia do të duhet ta njohë Kosovën në një moment ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të legalizojë atë që po bën në Ukrainë. Ky është realiteti”, shtoi presidenti kroat.

Gjithashtu tha se mes Beogradit dhe Moskës “nuk ka kurrfarë dashurie”, veç se bëhet fjalë për interesat ku Serbia i shërben Rusisë.

Presidenti kroat bëri të ditur se Serbia “duhet ta gjejë mënyrën për ta njohur Kosovën”, dhe se politikanët në Kosovë “duhet të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, pra sipas tij duhet zbatuar gjithçka që është nënshkruar.

Lidhur me deklaratën e tij se Kosova i është marrë Serbisë, Millanoviq tha është fakt që Beogradi nuk pajtohet me një gjë të tillë.

“Serbia ka mbetur pa Kosovën, nuk e dha me vullnet, e humbi në luftë”, tha Millanoviq.

“Kam mundur ta them ndryshe, që Serbia ka mbetur pa Kosovën apo që Kosova i është marrë Serbisë, por duket se të gjithë po pajtohemi që Kosova ka qenë pjesë e Serbisë”, shtoi presidenti kroat.

Madje i bëri thirrje të gjithë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.