Presidenti libanez, Joseph Aoun ka vendosur tre kushte për çarmatimin e mundshëm të Hezbollahut, duke filluar me përfundimin e pushtimit izraelit të zonave në Libanin jugor, sipas një deklarate të presidencës libaneze të mërkurën, transmeton Anadolu.
Aoun i bëri komentet gjatë një darke të organizuar nga ambasadorja e Libanit në Washington, Nada Hamadeh Mouawad, për nder të presidentit dhe delegacionit të tij, ku morën pjesë anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të administratës amerikane.
Darka u mbajt të martën në mbrëmje në ditën e fundit të vizitës zyrtare të Aoun në Uashington, ku ai u takua me presidentin amerikan Donald Trump.
“Hezbollahu mund të çarmatoset nëse jemi të sinqertë për atë që kërkon me të vërtetë: përfundimin e okupimit, marrjen e kontrollit të plotë nga ushtria dhe një program rindërtimi të menaxhuar vetëm nga shteti”, tha Aoun.
“Grupi i armatosur nuk është një forcë mercenare e huaj, por përbëhet nga qytetarë libanezë të formuar gjatë katër dekadave nga investimet ideologjike, sociale dhe ushtarake në një grup të armatosur joshtetëror që vepron jashtë kontrollit të qeverisë,” tha ai.
“Ky realitet nuk e bën qëllimin më pak urgjent, por e bën metodën më të rëndësishme,” shtoi Aoun.
Duke përmendur shembuj nga konflikte të tjera, duke përfshirë Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë dhe Ushtrinë Republikane Irlandeze në Irlandën e Veriut, Aoun tha se rruga përpara është e qartë: “çarmatimi, çmobilizimi dhe riintegrimi”.
Ai tha se procesi fillon me heqjen e shkakut rrënjësor të cituar prej kohësh nga Hezbollahu për të justifikuar ekzistencën e tij: pushtimin e territorit libanez nga Izraeli.
Sipas shifrave zyrtare libaneze, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë 4.328 njerëz dhe plagosur 12,230 të tjerë që nga 2 marsi.
Izraeli vazhdon të pushtojë pjesë të Libanit jugor, disa prej të cilave janë mbajtur për dekada dhe të tjera të kapura gjatë luftës së mëparshme midis tetorit 2023 dhe nëntorit 2024.





