Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, rreth mesnatës ka mbërritur në Mumbai, qendrën financiare të Indisë, duke nisur vizitën e tij treditore në vendin e Azisë Jugore, transmeton Anadolu.
Kryeministri indian, Narendra Modi, do të presë presidentin Macron për bisedime nesër, teksa të dyja palët synojnë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në tregti dhe mbrojtje.
Zyra e kryeministrit Modi tha se bisedimet do të përqendrohen në forcimin e partneritetit strategjik Indi-Francë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të reja dhe në zhvillim.
Macron dhe Modi gjithashtu do të shkëmbejnë pikëpamje mbi çështje me rëndësi rajonale dhe globale, ndërsa pritet të inaugurojnë edhe “Vitin e Inovacionit Indi-Francë”.
Macron, i cili vizitoi Indinë për herë të fundit në vitin 2024 si mysafir nderi në 75-vjetorin e Ditës së Republikës së Indisë, do të vizitojë këtë javë edhe New Delhin për të marrë pjesë në samitin “AI Impact”, të organizuar nga India.
India dhe Franca vendosën marrëdhënie diplomatike menjëherë pas pavarësisë së Indisë në vitin 1947, ndërsa vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 15 miliardë dollarë në vitin 2024.
Të dy vendet kanë forcuar ndjeshëm lidhjet, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Ministria indiane e Mbrojtjes miratoi javën e kaluar blerjen e re të avionëve luftarakë Rafale nga Franca.
India për herë të parë përfshiu në Forcat Ajrore avionët shumërolësh me dy motorë të kompanisë franceze Dassault në vitin 2020.
Shefat e mbrojtjes të Indisë dhe Francës gjithashtu do të zhvillojnë dialogun e tyre vjetor në qytetin jugor Bengaluru, ku pritet të rinovojnë një pakt 10-vjeçar të mbrojtjes, i cili përfshin edhe prodhimin e përbashkët të raketave Hammer.




