Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti turk Erdogan dhe princi saudit i kurorës takohen në Riad

Presidenti turk Erdogan dhe princi saudit i kurorës takohen në Riad

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u takua sot në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman (MBS), njoftoi Drejtori turk i Komunikimeve, Burhanettin Duran, transmeton Anadolu.

Në vizitën zyrtare në Arabinë Saudite, Erdogan shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Emine Erdogan, ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Financave Mehmet Simsek, ministri i Mbrojtjes Yasar Guler dhe ministra të tjerë.

Nuk u dhanë detaje të mëtejshme për takimin me dyer të mbyllura.

Pas takimit, Erdogan mori pjesë në një darkë private në nder të tij, të organizuar nga MBS në Pallatin Yemame.

Erdogan u prit nga Salman në një ceremoni zyrtare më herët gjatë ditës.

Kjo vizitë është stacioni i parë i turneut të liderit turk në vendet e rajonit.

Presidenti turk do të udhëtojë më pas të mërkurën drejt Kajros, në ftesë të presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, për të bashkëkryesuar takimin e dytë të Këshillit të Lartë për Bashkëpunim Strategjik Turqi-Egjipt, tha më tej Drejtori i Komunikimeve i Turqisë, Burhanettin Duran.

Gjatë vizitës në Egjipt, pritet që Erdogan dhe Sisi të diskutojnë çështje bilaterale dhe të shkëmbejnë pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, me fokus të veçantë mbi Palestinën, shtoi Duran.

Erdogan gjithashtu planifikon të marrë pjesë në një Forum Biznesi Turqi-Egjipt gjatë vizitës së tij në Kajro, shtoi ai.