Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se ka diskutuar çështjet e sigurisë, trafikut të drogës dhe tregtisë me presidentin amerikan Donald Trump gjatë një bisede telefonike “shumë të mirë” të zhvilluar sot, transmeton Anadolu.
“Kishim një bisedë shumë të mirë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, shkroi Sheinbaum në rrjetin social amerikan X.
Ajo tha se diskutimet u përqendruan në sigurinë, me respekt për sovranitetin e Meksikës, si dhe në trafikun e drogës, tregtinë dhe investimet.
“Bashkëpunimi brenda një kornize respekti të ndërsjellë gjithmonë jep rezultate”, shtoi ajo.
As Shtetet e Bashkuara dhe as Trump nuk kanë lëshuar menjëherë një deklaratë lidhur me bisedën.
Telefonata erdhi pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi të dielën një bisedë me Sekretarin e Jashtëm të Meksikës, Juan Ramon de la Fuente, lidhur me bashkëpunimin për çmontimin e “rrjeteve të dhunshme narkoterroriste të Meksikës” dhe ndalimin e trafikut të fentanilit dhe armëve.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Meksikës u përkeqësuan duke u shndërruar në një luftë tregtare pasi Trump vendosi tarifa ndaj importeve nga vendi latino-amerikan vitin e kaluar, duke deklaruar se masat kishin për qëllim frenimin e migracionit të paligjshëm, trafikut të fentanilit dhe pabarazive tregtare.
Të premten, Sheinbaum bëri thirrje për bashkëpunim më të fortë me Washingtonin, pasi Trump deklaroi se së shpejti do të nisë sulme kundër karteleve përtej kufirit jugor.
“Kartelët po e drejtojnë Meksikën – është shumë, shumë e trishtueshme të shohësh çfarë ka ndodhur me atë vend”, tha së fundmi Trump.


