Presidentja Osmani në Mal të Zi për Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mal të Zi për të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore me temë: “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan nga ShBA-ja.

Në këtë konferencë, Osmani do të jetë ndër folësit kryesor dhe në fjalimin e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit në aspektin e sigurisë, si dhe implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Përveç presidentes Osmani, në këtë konferencë do të flasin edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministrja dhe ministrja për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësminitsra nga rajoni dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.