Presioni i kolonëve detyron zhvendosjen e dhjetëra familjeve beduine pranë Jerikos

Më shumë se 70 familje beduine janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në zonën Ras al-Ain al-Auja, në veri të qytetit të Jerikos, pas një vale të re presionesh dhe sulmesh nga kolonët izraelitë, raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa.

Zona, e njohur edhe si Ujëvara e Al-Aujës, ku jetojnë rreth 650 banorë, tradicionalisht ka qenë një hapësirë jetike për blegtorinë dhe bujqësinë, falë burimit natyror të ujit dhe kullotave përreth. Por këtë vit, banorët thonë se përballen me një përshkallëzim të paprecedentë të dhunës dhe shtrëngimit.

Sipas dëshmive të banorëve, kolonët kanë ngritur një bërthamë të re koloniale dhe kanë futur mbi një mijë krerë dele në kullotat pranë shtëpive të fshatit, duke pamundësuar kullotjen për banorët vendas dhe duke e kthyer këtë veprim në mjet presioni për largim të detyruar.

“Jetojmë këtu prej më shumë se 40 vitesh. Këto toka dhe bagëti kanë qenë të jona, por sot kolonët kullosin delet e tyre në tokën tonë dhe na ndalojnë të jetojmë,” tha një nga banorët, i cili u detyrua të çmontojë shtëpinë dhe të largohet pas dekadash qëndrimi.

Banorët raportojnë për sulme të shpeshta, vjedhje bagëtish, bllokim të burimeve të ujit, shkatërrim të pronës dhe frikësim të fëmijëve, duke e bërë jetën e përditshme të pasigurt dhe të pamundur.

Situata në këtë zonë është pjesë e një prirjeje më të gjerë në gjithë shtrirjen lindore të Bregut Perëndimor, nga Lugina Veriore e Jordanit deri në Masafer Yatta në jug, ku komunitetet palestineze po përballen me presion të shtuar, zhvendosje të detyruara dhe rrezik të vazhdueshëm të aneksimit. /mesazhi