Pretendohet se Macron do të shpërbëjë Parlamentin nëse nuk pranohet reforma e pensioneve

Pretendohet se presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të shpërbëjë Asamblenë Kombëtare (Parlamentin) nëse nuk pranohet reforma e diskutueshme e pensioneve, transmeton Anadolu.

Sipas mediave franceze, Macron mbrëmë në Pallatin Elysee ftoi kryeministren Elisabeth Borne dhe kabinetin e saj ndërsa mëngjesin e sotëm u takua me përfaqësues të shumicës në pushtet.

Macron kërkoi nga krahu në pushtet që të tregojë qëndrim të vendosur për miratimin e reformës.

Burime nga Pallati Elysee njoftuan se Macron do të marrë vendim për shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare nëse nuk miratohet “projektligji lidhur me reformën e cila parashikon të rrisë moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç”.

Ndërsa flitet se Macron mund të vlerësojë opsionin e kalimit të projektligjit në Parlament pa votim, bazuar në privilegjin e qeverisë në kushtetutë.

Në një rast të tillë ekziston mundësia që krahu i opozitës që përjashtohet nga votimi të paraqesë interpelancë për të rrëzuar qeverinë.

Projektligji lidhur me reformën i cili dje kaloi në Komisionin e Përbashkët, do të kalojë sot përfundimisht në Senat dhe më pas në Asamblenë Kombëtare.

– Javë kritike për reformën e pensioneve

Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne më 10 janar deklaroi se do të kalojë në zbatim reforma e pensioneve e cila ishte në mesin e premtimeve zgjedhore të presidentit Emmanuel Macron.

Ajo tha se mosha e pensionit në vend i cili është 62 vjeç, që nga 1 shtatori do të rritet gradualisht me 3 muaj çdo vit dhe do të arrijë në 64 vjeç deri në vitin 2030 dhe se në vitin 2027 do të vendoset kushti për pagesën e primit 43-vjeçar për marrjen e pensionit të plotë.

Që nga 19 janari kundër reformës së diskutueshme janë zhvilluar greva dhe protesta të shumta në të gjithë vendin.

Më 9 mars Senati miratoi nenin më të diskutueshëm të reformës “që parashikon rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç” dhe më 12 mars pranoi nenet e tjera të reformës.

Reforma, e cila u shqyrtua dhe u pranua dje në Komisionin e Përbashkët, do të paraqitet edhe një herë për votim në Senat dhe më pas do t’i dërgohet Asamblesë Kombëtare për votim përfundimtar.

Krahu në pushtet i cili nuk e ka shumicën absolute në Asamble, në ditët e fundit po përpiqet të bindë kryesisht deputetët e Partisë Republikane (LR) të qendrës së djathtë që të japin mbështetje.