Princi saudit pret në takim presidentin palestinez, konflikti i Gazës dominon bisedimet

Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, ka zhvilluar bisedime në Riad me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, për të diskutuar konfliktin në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia palestineze e lajmeve WAFA, Abbas e informoi princin saudit mbi zhvillimet dhe përpjekjet e fundit palestineze për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazës dhe lejimin e ndihmës në enklavë.

Presidenti palestinez e përsëriti refuzimin e tij për zhvendosjen e dhunshme të palestinezë nga Gaza ose Bregu Perëndimor.

Abbas po ashtu paralajmëroi për pasoja të rënda nga një sulm tokësor i planifikuar izraelit në Rafah, ku banojnë më shumë se 1.4 milionë palestinezë të zhvendosur.

Lideri palestinez mbërriti në Riad dje për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.